Trazirat në Los Anxhelos për shkak të kontrolleve të emigracionit, Trump dërgon 2.000 pjesëtarë të Gardës Kombëtare

Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të dërgojë 2.000 trupa të Gardës Kombëtare në Los Anxhelos, për t’u përballur me trazirat që kanë shpërthyer pas racijeve të emigracionit të kryera nga Shërbimi për Emigracion dhe Dogana (ICE).

Qyteti i Kalifornisë përjetoi ditën e dytë të protestave dhe dhunës, pasi banorët e lagjes me shumicë latinoamerikane në Paramount u përleshën me agjentët federalë.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për të shpërndarë protestuesit. Gjatë javës, janë arrestuar 118 persona, përfshirë 44 vetëm të premten. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, e dënoi këtë fushatë si “të pamëshirshme”.

Sipas CBS News, Newsom ka telefonuar Trumpin dhe kanë biseduar rreth 40 minuta, por detajet e bisedës nuk janë bërë publike.

Ndërkohë që situata në Paramount është qetësuar disi, përplasjet me policinë vazhdojnë, dhe Sherifi i qarkut vazhdon të përdorë gaz lotsjellës kundër protestuesve.

Disa migrantë janë bllokuar në biznese lokale, duke refuzuar të dalin nga frika.

Shtëpia e Bardhë deklaroi:

“Në ditët e fundit, turma të dhunshme kanë sulmuar agjentët e ICE-it dhe zyrtarët federalë që ishin duke kryer operacione bazë deportimi në Los Anxhelos.”

Për këtë arsye, Trump ka firmosur memorandumin presidencial për dërgimin e Gardës Kombëtare, për të vendosur, sipas Shtëpisë së Bardhë, “rend dhe ligj” ndaj kaosit që po ziejë.

Zëvendësdrejtori i FBI-së, Dan Bongino, u drejtua demonstruesve me një paralajmërim të ashpër:

“Ju sillni kaos – ne do të sjellim prangat. Ligji dhe rendi do të mbizotërojë.”

Kategoritë
BotaLajme