TIKA dhe Komuna e Vushtrrisë nënshkruan memorandum bashkëpunimi për mbështetjen e fermerëve

“Me anë të këtij projekti synojmë modernizimin e mekanizmit bujqësorë, rritjen e prodhimit të produkteve bujqësore dhe zvogëlimin e shpenzimeve të fermerëve”, theksoi Aslan.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe koordinatorja e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Fulya Aslan, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi në kuadër të projektit ”Mbështetja e fermerëve me mekanizëm bujqësorë në Komunën e Vushtrrisë”, raporton Anadolu.

Aslan në ceremoninë e nënshkrimit tha se janë në Vushtrri për projektin që do të realizohet nga TIKA në bashkëpunim me Komunën e Vushtrrisë në formën e bashkëfinancimit.

“Në kuadër të projektit do të përfitojnë 70 fermerë nga një multikultivator me frez. Në formën e bashkëfinancimit më parë kemi realizuar projekte të ngjashme me Komunën e Ferizajt dhe Podujevës ku edhe në ato komuna numri i përfituesve ka qenë 70. Me anë të këtij projekti synojmë modernizimin e mekanizmit bujqësorë, rritjen e prodhimit të produkteve bujqësore dhe zvogëlimin e shpenzimeve të fermerëve”, theksoi Aslan.

Ajo tha se TIKA në Komunën e Vushtrrisë ka realizuar edhe më herët projekte bujqësore, ku mbi 160 fermerë kanë përfituar nga projektet e saj.

Në fjalën e tij, Idrizi tha se TIKA është një prej institucioneve që ka mbështetur jo vetëm Vushtrrinë, por edhe komunat tjera në fushën e bujqësisë. Ai tha se Vushtrria është një vend bujqësor dhe blegtoral.

“Këto pajisje bujqësore të cilat do të blihen me bashkëfinancim në mes të Komunës së Vushtrrisë dhe TIKA-s do ta lehtësojnë shumë punën e fermerëve në prodhimin e produkteve bujqësore”, theksoi Idrizi.

Idrizi në emër të Komunës së Vushtrrisë e falënderoi TIKA-n për bashkëpunimin e deritanishëm me komunën që udhëheq ai dhe shprehu gatishmëri për bashkëpunim të mëtutjeshëm.

Kategoritë
LajmeVendi