Telefoni “100 për qind amerikan” i Trump-it do të prodhohet plotësisht në Kinë

Ekspertët thonë se telefoni i mençur i sapo njoftuar nga Trump Organization, me gjithë pretendimet e Donald Trump se i gjithë procesi i prodhimit do të kryhet në SHBA, ka gjasa të prodhohet tërësisht në Kinë.

Kompania, në pronësi të ish-presidentit amerikan Donald Trump, të hënën njoftoi për lansimin e telefonit T1 – një pajisje me ngjyrë ari që do të shitet me çmimin prej 499 dollarësh. Telefoni do të përdorë sistemin operativ Android të Google.

Trump Organization pretendon se telefoni do të “prodhohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, por ekspertët theksojnë se pajisja ka të ngjarë të jetë dizajnuar dhe prodhuar nga një kompani kineze.

“Nuk ka asnjë mundësi që ky telefon të jetë dizajnuar nga e para dhe nuk ka asnjë shans të montohet ose të prodhohet tërësisht në SHBA”, deklaroi Francisco Jeronimo, nënkryetar në International Data Corp., për NBC News të martën.

Jeronimo sugjeroi se telefoni do të prodhohet më së shumti nga një prodhues kinez i pajisjeve origjinale (ODM) – kompani që dizajnon dhe prodhon produkte sipas specifikimeve të një firme tjetër.

“Pavarësisht se promovohet si telefon i prodhuar në Amerikë, ka të ngjarë që pajisja fillimisht të prodhohet nga një ODM kinez”, tha Blake Przesmicki, analist në Counterpoint Research.

Çështja e prodhimit të telefonave të mençur është bërë temë e ndjeshme pasi Trump kishte kërcënuar me tarifa doganore për pajisjet e importuara në SHBA. Edhe pse këto tarifa nuk janë zbatuar ende, ai kishte bërë presion ndaj Apple që të prodhonte iPhone-in në SHBA – pjesë e një fushate më të gjerë për ta rritur prodhimin e elektronikës në vend.

Megjithatë, disa ekspertë theksojnë se prodhimi i iPhone-it në SHBA është thuajse i pamundur dhe do ta rritte shumë çmimin e produktit. Edhe nëse një pjesë e prodhimit bëhet në SHBA, zinxhiri i furnizimit për telefonat është global dhe përbërësit vijnë nga shumë vende.

As telefoni T1 i Trump Organization nuk bën përjashtim. Edhe pse nuk janë dhënë informata të sakta për përbërësit e tij, specifikimet ofrojnë një ide për atë që mund të pritet.

Pajisja do të ketë një ekran AMOLED 6.8 inç, një teknologji që kryesisht prodhohet nga kompania koreano-jugore Samsung, por edhe nga LG dhe kompania kineze BOE.

Për krahasim, modeli iPhone 16 Pro Max i Apple ka ekran 6.9 inç dhe fillon nga çmimi prej 1.199 dollarësh.

Për një telefon me çmim 499 dollarë si T1, ka të ngjarë që të përdoret një procesor nga kompania tajvaneze MediaTek, i cili do të prodhohet në Tajvan. Edhe nëse përdoret një çip Qualcomm, ai gjithashtu me gjasë do të prodhohej në Tajvan.

Kamera e reklamuar prej 50 megapikselash do të kërkojë çipe për përpunimin e imazhit – një treg që dominohet nga kompania japoneze Sony.

Sa i përket memories, aty mund të përdoret teknologji amerikane, ndoshta nga kompania Micron, e cila prodhon komponentë në SHBA. Por edhe kompani të tjera si Samsung mund të jenë furnizues të mundshëm.

“Edhe në rastet kur prodhimi lokal është i mundur, kompania do të duhet të mbështetet në përbërës të importuar jashtë SHBA-ve”, tha Fieldhack nga Counterpoint Research.

 

Kategoritë
BotaLajme