Të gjithë po pyesin se kush është njeriu që Messi e përqafoi ngrohtësisht dhe ia dhuroi fanellën

Lionel Messi, i njohur jo vetëm për mjeshtërinë në fushën e lojës, por edhe për respektin që i tregon figurave të mëdha të futbollit, ka bërë sërish një gjest që po komentohet.

Pas barazimit 2-2 të Inter Miamit kundër Palmeiras, në fazën e grupeve të Kupës së Botës për Klube 2025, kapiteni argjentinas i dhuroi fanellën e tij legjendës braziliane Djalminha – një emër i njohur për karrierën me Deportivo La Corunan, Palmeirasin dhe Kombëtaren e Brazilit.

Djalminha, dikur shok skuadre me Lionel Scalonin në Spanjë, e kishte ndjekur ndeshjen nga tribunat VIP të stadiumit Hard Rock në Miami dhe pas përfundimit të takimit, kishte pritur në tunel për të takuar Messin.

Qëllimi i tij ishte i qartë: të siguronte fanellën e yllit të Inter Miamit. Sapo përfundoi ndeshja, Messi iu drejtua me një buzëqeshje brazilianit, ia dhuroi fanellën me numrin 10 dhe e përqafoi para syve të shumë tifozëve.

Pamjet e përqafimit mes tyre u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke nxitur reagime pozitive nga tifozët e futbollit, të cilët e vlerësuan veprimin e Messit si një dëshmi të karakterit të tij të përulur dhe respektit që ka për legjendat e sportit.

Marca publikoi një video ekskluzive të takimit dhe e quajti këtë histori “një kuriozitet të rrallë që shpalos bukurinë njerëzore të futbollit”.

Ndërkohë, Inter Miami do të përballet me një tjetër sfidë të madhe. Pas përfundimit të fazës së grupeve, ku përfunduan në vendin e dytë, amerikanët do të udhëtojnë drejt Atlantës për t’u përballur me Paris Saint-Germain, në një përballje të rëndësishme të raundit të 1/16-ave të dielën më 29 qershor.

PSG, që kryesoi Grupin B pas fitoreve ndaj Seattle Sounders (2-0) dhe eliminimit të Atlético Madridit (1-0), vjen në këtë sfidë si favorit.

Me yje si Khvicha Kvaratskhelia dhe Achraf Hakimi në formë, klubi francez pritet të jetë një pengesë serioze për ekipin e Messit, i cili do të kërkojë të vazhdojë aventurën në këtë edicion të veçantë të Kupës së Botës për Klube.

Kategoritë
LajmeSport