Një rritje e ndjeshme e tarifave për shërbimin e mbledhjes së mbeturinave është evidentuar në faturat e konsumatorëve në Prizren.
Redaksia jonë kishte pranuar ankesa nga qytetarë, të shoqëruara me fatura, ku tarifa për kategorinë “Lokalet me kontratë” ka kaluar nga 33.89 euro në muajin gusht 2026 në 60 euro në muajin shtator 2026, që përbën një rritje prej rreth 77 për qind.
Pas kërkesës së redaksisë për sqarime, nga Ekoregjioni kanë deklaruar se tarifat e reja kanë hyrë në fuqi që nga muaji korrik 2026 dhe se ato janë përcaktuar në bazë të rregullores komunale të miratuar nga Kuvendi Komunal i Prizrenit.
Sipas përgjigjes së tyre, rritja është bërë për shkak të rritjes së shpenzimeve të ndërmarrjes, duke përfshirë shpenzimet e naftës, kostot e deponimit në Landovicë dhe shpenzime të tjera operative.
“Tarifat janë rritur nga muaji i kaluar. Rritja është bërë në proporcion me rregulloren komunale”, thuhet në përgjigjen e Ekoregjionit.
Nga kjo ndërmarrje kanë thënë gjithashtu se për ndryshimin e tarifave janë zhvilluar dëgjime publike nga Komuna e Prizrenit, ku qytetarët janë informuar se do të ketë rritje të tarifave si për bizneset, ashtu edhe për amvisëritë.
Sipas Ekoregjionit, njoftimi është bërë përmes mjeteve të informimit dhe uebfaqes së Komunës, ndërsa nuk është bërë njoftim individual për secilin biznes.
Ekoregjioni ka sqaruar se tarifat e reja vlejnë për të gjithë konsumatorët, përfshirë bizneset, amvisëritë rezidente dhe jorezidente.
Megjithatë, në përgjigjen e dhënë për redaksinë nuk është specifikuar se si është përllogaritur konkretisht tarifa prej 60 eurosh për kategorinë “Lokalet me kontratë”, ndërsa ndërmarrja thekson se te bizneset merren parasysh edhe sasia e mbeturinave dhe hapësira që posedon biznesi.
Rritja e tarifave ka ngjallur shqetësim te disa konsumatorë, veçanërisht për shkak të dallimit të madh mes shumës së faturuar në muajt e mëparshëm dhe tarifës së re./Gazeta e Re

















