Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, vlerësoi se zgjidhjet e imponuara nuk mund të zgjasin shumë, por shtoi se mendon se i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, është duke punuar për të gjetur një zgjidhje për atë proces që nuk do të imponohet.
“E dini, zgjidhjet që imponohen nuk zgjasin shumë. Ju dëshironi zgjidhje që do të vijnë natyrshëm. Jam i sigurt se zoti Lajcak po punon për to”, tha Hill për mediumin serb “Blic”, pas rundit të ri të dialogut në Bruksel.
Ai deklaroi se ndihet krenar për mbështetjen që SHBA-ja i jep Lajcak, por edhe se i vjen mirë që SHBA-ja është e përfshirë drejtpërdrejt në atë proces përmes të dërguarit të saj special, Gabriel Escobar.
“Ajo që mund të them është se ka një konsensus në rritje në SHBA se ne duhet të përmirësojmë marrëdhëniet me Serbinë dhe se ne duhet të jemi miq dhe partnerë përsëri”, tha Hill.















