Takim historik mes Erdoganit dhe Pashinyanit: Vizita e parë zyrtare e një lideri armen në Turqi pas më shumë se 30 vjetësh

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, mbërriti të premten në një vizitë zyrtare në Turqi, duke u bërë kështu udhëheqësi i parë armen që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë që shkel në tokën turke në cilësinë e tij zyrtare.

Vizita vjen në një moment kur të dy vendet, të ngarkuara nga dekada armiqësie dhe trauma historike, po i afrohen një mundësie reale për normalizim të marrëdhënieve.

Pashinyan u takua me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan në pallatin Dolmabahçe në Stamboll. Edhe pse të dy liderët janë takuar më herët në forume ndërkombëtare – përfshirë edhe pjesëmarrjen e Pashinyanit në inaugurimin e Erdoganit në vitin 2023 – kjo është vizita e tij e parë zyrtare në Turqi.

Sipas Middle East Eye, Erdogan e kishte ftuar Pashinyanin gjatë një bisede telefonike me rastin e Kurban Bajramit, e cila më pas u formalizua përmes kanaleve diplomatike. Burime nga Jerevani raportojnë se liderët kishin zhvilluar një “bisedë pozitive dhe konstruktive”, çka hapi rrugën për këtë vizitë historike.

Në kuadër të kësaj vizite pune, sipas zyrës së presidentit turk, marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm dhe të dërguarit e posaçëm për normalizimin e marrëdhënieve, duke mundësuar diskutime të plota dypalëshe.

Turqia dhe Armenia kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike që nga viti 1993, pasi forcat armene okupuan rajonin azerbajxhanas të Nagorno-Karabakut. Edhe pse në vitin 2020 shpërtheu një luftë e re ku Azerbajxhani rimori pjesën më të madhe të territorit, tensionet nuk janë zhdukur – sidomos pas shpërbërjes zyrtare të rajonit të Artsakut më 1 janar 2024.

Një barrë shtesë në marrëdhënie mbetet çështja e njohjes së gjenocidit ndaj armenëve në vitin 1915, të cilën Ankaraja zyrtare ende e refuzon, duke pohuar se vdekjet kanë ndodhur në rrethana lufte.

Megjithatë, Pashinyan ka zbutur retorikën në muajt e fundit, duke theksuar dëshirën për të ndërprerë izolimin e vendit të tij, për të hapur kufijtë dhe për të vendosur lidhje diplomatike dhe tregtare me Turqinë.

Marrëveshjet në pritje

Në mars, Armenia dhe Azerbajxhani ranë dakord për një draft marrëveshje paqeje, por që atëherë Baku ka paraqitur kërkesa shtesë – përfshirë ndryshime në Kushtetutën armene në lidhje me Nagorno-Karabakun. Ankaraja ende nuk ka marrë një qëndrim të qartë për hapjen e pikës kufitare Alican-Margara për diplomatët dhe qytetarët e vendeve të treta, ndonëse Jerevani tashmë i ka përfunduar punimet përkatëse në anën e vet.

Megjithatë, Pashinyan nuk heq dorë: ka paralajmëruar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese, por këmbëngul se kjo nuk duhet të pengojë procesin e paqes, dhe ka shprehur shpresën që marrëveshja përfundimtare me Azerbajxhanin të nënshkruhet brenda këtij viti.

Dimensioni rajonal

Vizita ndodh në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë në rritje, veçanërisht mes Iranit dhe Izraelit – gjë që e shton rëndësinë e dialogut turko-armen, për shkak të pozitës gjeografike dhe gjeopolitike të të dy vendeve.

Është domethënëse që vizita e Pashinyanit ndodhi menjëherë pas vizitës së presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, në Turqi, ku së bashku me Erdoganin inauguruan një kompleks banimi për viktimat e tërmetit të vitit 2023 në Kahramanmaraş.

Kategoritë
BotaLajme