Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka folur lidhur me kërcënimet që kanë ardhur nga organizata terroriste serbe “Severna Brigada”.
Sveçla para gazetarëve ka thënë se ndihet i sigurt falë punës së Policisë së Kosovës, teksa shtoi se armiqtë e Kosovës do të përfundojnë duke dhënë llogari para ligjit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Unë ndihem jashtëzakonisht i sigurt falë Policisë së Kosovës dhe profesionalizimit të tyre.
Patjetër se në luftë tonë për drejtësi, rend e ligj, gjithmonë do të ketë armiq të kësaj lufte që në një mënyrë apo tjetër do të godasin institucionet e Kosovës. Mos të harrojmë se kemi edhe policë të rënë në detyrë, të cilët nuk janë sot në mesin tonë, por janë familjarët e tyre.
Punët do të vazhdojnë armiqtë tanë do të përfundojnë gjithmonë duke dhënë llogari para ligjit”, ka thënë Sveçla gjatë ditës së sotme.
Organizata terroriste serbe të martën kishte kërcënuar Sveçlën, pas një aksioni që ka zhvilluar Policia e Kosovës në Zveçan ku është sekuestruar një sasi e armatimit.
Gjatë ditës së sotme, kjo organizatë u raportua ka kërcënuar dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Profili i kësaj organizate ka shpërndarë mbrëmë në Facebook një fotografi të një arme të llojit “snajper”, sipër se cilës kanë shkruar “Kurti, këso kemi me tonelata”.
Policia e Kosovës, ka bërë të ditur dy ditë më parë se ka zbuluar një sasi të madhe armatimi në veriun e Kosovës.
Aksioni u krye në Zveçan, ku siç u bë e ditur u bastis një shtëpi, që përdorej si “bazë për armatimin e veriut të Kosovës”. /Reporteri.net/


















