Sulmi iranian kishte në shënjestër një bazë ushtarake të inteligjencës izraelite: “U godit infrastruktura kyçe e IDF-it”

Në sulmin raketor të mëngjesit të sotëm në jug të Izraelit, objektivi kryesor ishte një bazë ushtarake izraelite për komandë dhe operacione të inteligjencës, e vendosur në parkun teknologjik Gav-Yam në qytetin Be’er Sheva, raportoi agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA përmes kanalit të saj në Telegram.

Sipas IRNA-s, infrastruktura e shënjestruar i përket Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe konkretisht bëhet fjalë për një qendër kyçe të C4I-së (Komandë, Kontroll, Komunikim, Kompjuterë dhe Inteligjencë) dhe kampin ushtarak të inteligjencës, që ndodhet menjëherë pranë spitalit Soroka.

Sipas agjencisë iraniane, spitali vetë nuk ishte objektiv i drejtpërdrejtë i sulmit, por pësoi dëme të lehta nga vala goditëse e shpërthimit. “Objektivi ishte infrastruktura ushtarake – e goditur me saktësi dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë,” thuhet në raportimin e IRNA-s.

Kujtojmë se në sulmin e fuqishëm raketor të mëngjesit të sotëm ndaj pjesës qendrore të Izraelit, u goditën disa lokacione në Tel Aviv, Ramat Gan dhe Holon, ndërsa të paktën një raketë shkaktoi dëme në qendrën klinike Soroka në Be’er Sheva – qytet i vendosur rreth 40 kilometra nga Rripi i Gazës.

Soroka është një nga spitalet më të rëndësishme në Izrael, me rëndësi të veçantë pasi aty trajtohen ushtarë të plagosur gjatë operacioneve në Gaza, përfshirë edhe pjesëtarë të IDF-it të plagosur në përplasjet e fundit me Hamasin.

Edhe pse sipas informacioneve të Al Jazeera-s spitali nuk ishte shënjestër direkte, një ndërtesë në afërsi të tij u godit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Ekipet mjekësore u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos i afrohen zonës së goditur, ndërkohë që po kontrollohen ndërtesat dhe rrënojat për persona të mundshëm të bllokuar.

Nga spitali Soroka njoftuan se ka “dëme të mëdha në disa pjesë të kompleksit” dhe se aktualisht po vlerësojnë përmasat e dëmeve dhe nëse ka të lënduar. “I bëjmë thirrje qytetarëve që të mos vijnë në spital derisa të përfundojmë vlerësimin,” thuhet në njoftim.

Sulmet shkaktuan ndezjen e sirenave të alarmit për sulme ajrore në mbarë vendin, përfshirë Tel Avivin dhe Jerusalemin, ku qytetarët raportuan shpërthime të fuqishme. Sipas mediave izraelite, janë regjistruar disa goditje direkte.

Kategoritë
BotaLajme