Përpara ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi, sonte janë mbledhur mijëra qytetarë, të cilët me një heshtje trembëdhjetë minutëshe kanë nderuar viktimat e masakrës në Cetinje.
“Nëse kryeministri nuk deklarohet deri më 1 shkurt dhe nëse kërkesat tona nuk plotësohen, jemi të gatshëm për mosbindje civile që do të udhëhiqet nga studentët,” u tha sonte në protestën e organizuar në Podgoricë nga grupi joformal i studentëve “Kamo Sjutra?”.
Përpara ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi në Podgoricë, sonte mijëra qytetarë u mblodhën dhe nderuan viktimat e masakrës në Cetinje, të ndodhur më 1 janar të këtij viti, me një heshtje trembëdhjetë minutëshe.
Organizatorët i bënë thirrje kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajić, të përgjigjet ndaj kërkesës për shkarkimin e nënkryetarit të qeverisë, Aleksa Beçiç, dhe ministrit të punëve të brendshme, Danilo Sharanoviç.
Gjatë marshimit protestues nga ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme deri në Kuvendin e Malit të Zi, të pranishmit thërrisnin “Vrasësit”, “Dorëheqje”, “Kolltukofagë”, “A na sheh mirë, Danilo?”, “S’ka dorëzim”.
Të pranishmit mbanin edhe pankarta ku shkruhej: “Paqja është arsyeja jonë”, “Mali i Zi i mjerë dhe i vuajtur”, “Studentët kundër dhunës”, “Marshojmë sot, që fëmijët tanë të mos largohen nesër”.
Studentja Itana Dragojeviç, gjatë fjalës së saj, tha se kërkesat e tyre janë të qarta dhe i janë dorëzuar Qeverisë së Malit të Zi dhe se nuk do të heqin dorë deri në plotësimin e tyre.
“Kërkojmë shkarkimin e ministrit Šaranović dhe nënkryetarit Bečić. Gjithashtu, kërkojmë veprim më të shpejtë të institucioneve përgjegjëse për posedimin e armëve, rikthimin e edukimit qytetar, përmirësimin e kujdesit për shëndetin mendor. Kërkuam nga kryeministri të thërrasë një konferencë për shtyp deri më 1 shkurt, ku duhet të shpjegojë se çfarë është bërë deri tani lidhur me krimin në Cetinje,” theksoi Dragojević.
Ajo shtoi: “Politikanët në pushtet janë ngjitur pas kolltuqeve të tyre dhe nuk mund të shohin përtej hundës së tyre. Shihni sa jemi dhe filloni të bëni punën tuaj. Nëse kryeministri nuk reagon deri më 1 shkurt dhe nëse kërkesat nuk plotësohen, jemi të gatshëm për mosbindje civile,” paralajmëroi Dragojeviç.
Kjo është protesta e tretë e studentëve në Mal të Zi, të cilët kërkojnë shkarkimin e drejtuesve të sigurisë, pas ngjarjes në Cetinje në ditën e parë të janarit të këtij viti, kur A.M. vrau 12 bashkëqytetarë të tij.