Spanja ka njoftuar se ka miratuar një procedurë të përshpejtuar për pranimin e studentëve të huaj në universitetet e saj, të cilëve administrata e presidentit amerikan Donald Trump u ka ndaluar hyrjen në SHBA për arsye studimi.
Sipas Ministrisë së Migracionit, studentët që nuk mund të përfundojnë studimet në Shtetet e Bashkuara për shkak të pezullimit të vizave do të kenë mundësi t’i vazhdojnë ato në Spanjë. Vizat që do t’u lëshohen gjithashtu do t’u mundësojnë të punojnë me orar të pjesshëm.
Trump ka hyrë në konflikt me disa nga universitetet më të njohura amerikane, duke i akuzuar se janë shndërruar në “fortesa të antisemitizmit” pas protestave të mëdha studentore në mbështetje të të drejtave të palestinezëve gjatë luftës në Gazë.
Në përplasjen me Harvardin, Trump pezulloi fondet për kërkime dhe kërcënoi me heqjen e përjashtimeve tatimore, duke nxitur disa vende evropiane, përfshirë Spanjën, të rrisin grantet për kërkime për të tërhequr studentë dhe studiues të talentuar.
Ndërsa Trump përpiqet të kufizojë imigracionin në SHBA, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez po e promovon atë si një përfitim ekonomik për vendin.
Sipas të dhënave nga platforma “Open Doors”, Spanja renditet e treta në listën e destinacioneve më të preferuara për studentët amerikanë që dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit, pas Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë.
Të paktën 20.000 studentë amerikanë aplikojnë çdo vit për viza që t’u mundësojnë të ndjekin një pjesë të studimeve të tyre në Spanjë.