Darren Beattie, bashkëpunëtor i afërt i ish-presidentit Donald Trump dhe aktualisht ushtrues detyre si zëvendëssekretar për diplomaci publike në Departamentin e Shtetit, është në qendër të një skandali të ri pas raportimeve se ka lidhje të drejtpërdrejta me Kremlinin, sipas The Telegraph.
Beattie u bë i njohur në opinionin amerikan si personi që drejtoi fushatën për shuarjen e një agjencie të specializuar në luftimin e dezinformatave ruse në rrjetet sociale – një agjenci që kishte si qëllim të ekspozonte fushatat e ndikimit të Kremlinit.
Lidhje familjare me rrethin e Putinit
Sipas raportimeve, Beattie është i martuar me Julia Kirillova, mbesa e Sergei Chernikov, një milioner rus me lidhje të forta me qeverinë ruse dhe vetë presidentin Vladimir Putin. Chernikov ka marrë madje edhe një mirënjohje personale nga Putini, për kontributin e tij në fushatën presidenciale të vitit 2000 dhe për shërbimin e tij si zëvendësguvernator në rajonin Neneck të Siberisë.
Ndër vite, Chernikov ka mbajtur pozita në Ministrinë e Burimeve Natyrore dhe ka qenë pjesë e Dhomës Civile të Rusisë – një organ i krijuar me propozimin e Putinit për të mbikëqyrur punën e qeverisë, i cili shpesh është kritikuar si instrument për kontrollin e opozitës.
Deklarata dhe qëndrime pro-ruse
Përveç lidhjeve familjare, Beattie është bërë i njohur për deklaratat e tij ekstreme në rrjetet sociale, ku ka promovuar narrativa pro-Kremlinit, si:
- “Putini duhet të infiltojë institucionet perëndimore”
- “Tajvani duhet t’i dorëzohet Kinës”
- “Britania e Madhe është një perandori e mjerë që do të ishte më mirë nën dominimin kinez”
Ai gjithashtu ka deklaruar se SHBA financon “revolucione me ngjyra” në vende si Mianmari, Hong Kongu dhe Ukraina, ndërsa ka krahasuar trajtimin e të bardhëve në Britani me trajtimin që Kina u bën Ujgurëve – pakicës myslimane të shtypur nga Pekini.
E kaluara dhe emërimi në State Department
Beattie ishte pjesë e stafit të Trump-it edhe gjatë mandatit të parë, por u largua në vitin 2018 pasi mori pjesë në një konferencë të nacionalistëve të bardhë.
Më vonë themeloi portalin Revolver, nëpërmjet të cilit sulmonte publikisht agjencinë kundër dezinformatave ruse – të cilën më pas do ta shkatërronte nga brenda sapo mori postin në Departamentin e Shtetit.
Beattie është i emëruar si ushtrues detyre, çka do të thotë se mandati i tij është i kufizuar në 210 ditë. Pas kësaj periudhe, ai duhet të konfirmohet nga Senati, por sipas mediave amerikane, “është shumë pak e mundshme” që ai të marrë mbështetjen e mjaftueshme për të qëndruar në detyrë. Kështu, pritet të largohet nga pozita deri në fund të vitit 2025.
Reagime politike
Ironikisht, Beattie e kishte kritikuar edhe shefin e tij aktual, sekretarin e shtetit Marco Rubio, duke e akuzuar në të kaluarën për “pjesëmarrje në festa homoseksuale me shkumë” – një deklaratë që e ka fshirë pas emërimit në detyrë.
Përkundër akuzave, Rubio e lavdëroi Beattie-n si “personin që me sukses mbylli agjencinë e censurës”, në një intervistë të publikuar nga vetë Departamenti i Shtetit.
Skandali i Beattie-t po zgjerohet me shpejtësi në Washington, dhe me zgjedhjet që afrohen, çështja pritet të bëhet pjesë e debateve më të mëdha për ndikimin rus dhe sigurinë kombëtare amerikane.