Seanca e sotme e jashtëzakonshme e cila ishte thirrur për diskutim të çmimit të lartë të energjisë elektrike në vend, ka përfunduar. Në mungesë të kuorumit Rezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nuk është votuar dhe seanca u shtye për një ditë tjetër, shkruan Gazeta Metro.
Përmes një draft-rezolute, tri partitë opozitare në Kosovë kanë kërkuar uljen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë.
“Kjo rritje e çmimit është e papërballueshme. Prandaj, duhet zbritur kjo tarifë sepse energjia përfshihet në grupin e produkteve të nevojshme për konsum si buka, kripa, uji, vaji etj. Prandaj, edhe çmimi duhet të bëhet i përballueshëm”, tha Shala gjatë seancës së jashtëzakonshme plenare më 18 janar.
Sipas Shalës, për dy vjet, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) dhe Qeveria e Kosovës, shtrenjtuan çmimet e rrymës.
Mimoza Kusari-Lira, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, tha se ekzekutivi po punon për gjetjen e zgjidhjes për situatën në sektorin energjetik.
“Rezoluta e prezantuar nuk është serioze dhe nuk kontribuon në ofrimin e zgjidhjes. Kjo nuk është risi në vetvete, pasi zgjidhjet që i keni ofruar në vazhdimësi kanë qenë seancat e jashtëzakonshme për gjendjen në sektorin e energjisë, komisione hetimore për sektorin e energjisë. Ndërkaq, në vazhdimësi keni abstenuar në votime në vendimmarrje në zhvillimin e politikave në sektorin e energjisë”, tha Kusari-Lila, duke shtuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të përkrahë këtë rezolutë.
“Çfarë bëri kjo Qeveri për të rritur kapacitetet e gjenerimit të energjisë? Asgjë. Zero. Një megavat të vetëm nuk e shtuan në mbi tre vjet qeverisje. Nëse kjo do të ishte një garë e shteteve në Ballkan, Kosova jonë do të ishte ende e shtangur në vijën e nisjes duke qëndruar, e duke vrojtuar të tjerët duke hapërura përpara, e ne duke mos lëvizur një hap të vetëm”, tha ai.
“Në momentin që ne do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, që të adresohet prej kontekstit të të drejtave të njeriut, ne do ta fitojmë rastin”, tha ai.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se gjatë Qeverisë Kurti ka pasur subvencionime të qytetarëve dhe bizneseve për energjinë e konsumuar. Sipas saj, për dy vjet është ulur konsumi i energjisë nga amvisëritë dhe është rritur ai i bizneseve, gjë që sipas saj, është “reflektim i rritjes së aktivitetit ekonomik”.
Rizvanolli tha se në thelb, çështja e bllok-tarifave është çështje e drejtësisë sociale. Ajo gjatë seancës plenare trajtoi edhe çështjen e rritjes së shpenzimit të energjisë gjatë dy muajve të fundit të vitit 2023.
Tarifat e fundit të energjisë janë miratuar prillin e vitit të kaluar. Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovate në orë brenda një muaji, çmimi gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovate, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Kjo seancë ishte thirrur me propozim të PDK-së, e cila ka përgatitur edhe një rezolutë që pritet të hidhet në votim në fund të debatit
Rezoluta e plotë:
– I rekomandohet ZRRE-së që brenda afatit të arsyeshëm kohor të marrë vendim për anulimin dhe heqjen e blloktarifës për kualifikimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për konsumatorët familjar
– Obligohet Qeveria e Kosovës për marrjen e masave, vendimeve, veprimeve për krijimin e parakushteve financiare për anulimin e menjëhershëm të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe lehtësimin e barrës financiare;