Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se është arritur një marrëveshje për armëpushim mes Iranit dhe Izraelit. Mëngjesin e sotëm, pas sulmeve të fundit me raketa ndaj Izraelit, këtë e konfirmuan edhe mediat shtetërore iraniane.
Sipas burimeve të përfshira në negociata, marrëveshja u arrit falë angazhimit diplomatik të Katarit dhe Shteteve të Bashkuara.
Pas sulmit ndaj bazës ushtarake amerikane në Katar, Teherani i dërgoi një mesazh Uashingtonit, duke njoftuar se nuk kishte në plan të kryente sulme të mëtejshme, raportoi portali Axios.
Shtëpia e Bardhë reagoi ndaj këtij mesazhi me një sinjal të qartë se nuk do të ndërmerrte një kundërpërgjigje ushtarake dhe se SHBA ishte e gatshme të vazhdonte bisedimet me Iranin. Paralelisht, zhvilloheshin bisedime intensive mes zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë, si dhe mes autoriteteve katare dhe iraniane, për të harmonizuar kushtet dhe afatin kohor për fillimin e armëpushimit.
Sipas një zyrtari të njohur me detajet e marrëveshjes, kryeministri i Katarit, në kontakt të drejtpërdrejtë me Teheranin, arriti të sigurojë pranimin nga ana e Iranit për propozimin amerikan për ndërprerjen e luftimeve, raportoi Reuters.
Po ashtu, bëhet e ditur se presidenti Trump e informoi emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, se Izraeli kishte pranuar armëpushimin dhe i kërkoi Katarit të përdorte ndikimin e tij për të bindur palën iraniane të pranonte marrëveshjen.