Finalja e Kampionatit Botëror në futboll, përveç përballjes në fushë, solli edhe “përplasje” në tribuna. Veçanërisht interesant ishte fakti që në të njëjtin vend u panë presidenti amerikan Donald Trump dhe delegacioni spanjoll, i udhëhequr nga kryeministri Pedro Sánchez dhe mbreti Felipe VI.
Ky moment tërhoqi vëmendje të veçantë në mediat spanjolle. El Mundo, El País dhe media të tjera e përshkruan atmosferën në tribunën më të lakmuar si një festival të përzemërsisë dhe harmonisë së detyruar.
Në këtë festival morën pjesë Donald Trump, Gianni Infantino, si dhe udhëheqësit e Meksikës, Kanadasë dhe Spanjës.
“Një dozë e madhe dhe e dukshme kureshtjeje, një koktej shpërthyes politikanësh socialistë, liberalë dhe konservatorë, me pikëpamje për botën që janë të kundërta dhe pothuajse të papajtueshme. Trump në raste të panumërta i ka sulmuar fqinjët e tij jugorë dhe veriorë, i ka fyer, nënçmuar, u ka vendosur tarifa dhe madje ka përmendur mundësinë e aneksimit ose përdorimit të ushtrisë në territorin e tyre”, shkruan El Mundo.
Ashtu siç ishte sjellë ndaj Kanadasë dhe Meksikës, Trump ishte sjellë edhe ndaj Spanjës.
“Po ashtu, vendit tonë dhe veçanërisht Sánchezit, i kishte kritikuar shpenzimet e pamjaftueshme për mbrojtjen dhe faktin që nuk e kishte lejuar të përdorte bazat ushtarake për një sulm ndaj Iranit, duke spekuluar për sanksione apo edhe për përjashtimin nga NATO-ja. Për këtë kishte folur në rrjetet sociale, në konferenca për media dhe madje edhe ballë për ballë. Asgjë nga kjo nuk mund të shihej mbrëmë. Historia tregon se sporti shpesh ka shërbyer si urë kur dukej se diplomacia kishte përplasur kokën në një mur të palëvizshëm. Lojërat Olimpike, kampionatet botërore dhe madje edhe garat më të vogla kanë mundësuar afrime dhe takime që dukeshin të pamundura”, shkruan kjo gazetë.
Fotografia publike e dy liderëve duke u përshëndetur ishte episodi i dytë i një pajtimi të brishtë, pas samitit të mbajtur më herët gjatë këtij muaji në Ankara të Turqisë, ku dy presidentët kishin biseduar për futbollin dhe golfin gjatë një takimi të shkurtër dypalësh.
Mediat spanjolle theksojnë se për qetësimin e tensioneve të mundshme në tribunë ishte angazhuar mbreti i Spanjës.
“Për t’i qetësuar gjërat dhe për t’i ulur tensionet, mbreti është gjithmonë aty. Felipe VI ndoqi ndeshjen nga tribuna mbretërore së bashku me mbretëreshën Letizia. Të dy, të cilët e mbështetën me gjithë zemër kombëtaren spanjolle, treguan aftësitë e tyre diplomatike, duke e qetësuar për një moment tensionin në tribuna”, shkruan El País.
Në fund, gjatë ndarjes së medaljeve dhe trofeut, rrethi në marrëdhënien Spanjë–Donald Trump u mbyll plotësisht. Ndërsa më herët kishte thënë se spanjollët ishin “njerëz të këqij” dhe se Shtetet e Bashkuara duhej t’i ndërprisnin marrëdhëniet tregtare dhe çdo marrëdhënie tjetër me Spanjën, pikërisht presidenti amerikan u detyrua t’ia shtrinte dorën secilit anëtar të kombëtares spanjolle gjatë ceremonisë së dorëzimit të trofeut.
E gjithë kjo ndodhi në një moment kur pranë tij ndodheshin edhe persona të tjerë të cilët ai i kishte fyer shpesh publikisht, kryeministri i Kanadasë dhe presidentja e Meksikës. Edhe ata e përcollën këtë moment me buzëqeshje.













