



Sipas njoftimit zyrtar të nënshkruar nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ky vendim është marrë për shkak të mungesës së hapësirave të lira në Varrezat e Qytetit të Prizrenit dhe në varrezat e lagjes Arbana.
Komuna ka bërë të ditur se në këto dy lokacione është krijuar një gjendje jashtëzakonisht e rënduar dhe se, sipas vlerësimeve të institucioneve përgjegjëse, nuk është më e mundur të sigurohen vende të lira dhe të përshtatshme për varrime të reja.
Në njoftim thuhet se punonjësit përgjegjës janë përballur vazhdimisht me presion nga familjarët, pretendime për vende të rezervuara, mosmarrëveshje për hapësirat e varrimit dhe situata që mund të shkaktojnë konflikte dhe pasoja juridike.
Po ashtu, dokumentacioni i Policisë së Kosovës përmban të dhëna për incidente dhe pretendime lidhur me shfrytëzimin apo uzurpimin e hapësirave publike brenda varrezave ekzistuese.
Funksionalizimi i Varrezave të Reja në Landovicë ishte planifikuar fillimisht për 21 gusht 2026. Megjithatë, për shkak të situatës urgjente dhe pamundësisë për vazhdimin e varrimeve në lokacionet aktuale, shërbimet e varrimit në Landovicë do të fillojnë para afatit të paraparë.
Nga 10 gushti, në Varrezat e Qytetit të Prizrenit dhe në varrezat e lagjes Arbana nuk do të lejohen më varrime të reja.
Drejtoria e Shërbimeve Publike, ekipi për menaxhimin e kontratës me partneritet publiko-privat dhe KRM “Ekoregjioni” do të koordinojnë përgatitjet teknike, operative dhe organizative për realizimin e varrimeve në lokacionin e ri.
Policia e Kosovës, bashkësitë fetare, operatorët e shërbimeve funerale dhe familjet e të ndjerëve janë udhëzuar që, para organizimit të ceremonive, të koordinohen me Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe KRM “Ekoregjioni”, në mënyrë që procedurat të zhvillohen pa pengesa dhe me respektimin e dinjitetit të të ndjerëve dhe familjeve të tyre.

