Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, shkaktoi polemika gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih, duke kritikuar udhëheqësit evropianë për, siç tha ai, “dështimin në ruajtjen e vlerave themelore” si liria e shprehjes dhe kontrolli i emigracionit.
Shumë e interpretuan këtë si fillimin e një distancimi të Amerikës nga Evropa, ndërsa në qendër të vëmendjes u rikthye fjalimi i tij nga korriku i vitit të kaluar, kur deklaroi se “Britania mund të bëhet vendi i parë islamist me armë bërthamore”.
Në një video që sërish u bë virale në rrjetet sociale, Vance iu drejtua audiencës në konferencë me fjalët: “Në fakt, duhet të ‘sulmoj’ pak Mbretërinë e Bashkuar, edhe një gjë tjetër”.
“Pak kohë më parë po flisja me një mik dhe po diskutonim për një nga rreziqet më të mëdha globale – që është, natyrisht, përhapja bërthamore – dhe administrata Biden duket se nuk shqetësohet për këtë. Dhe po flisnim se cili do të ishte vendi i parë vërtet islamist që do të merrte armë bërthamore. Mendonim për Iranin, ndoshta Pakistani tashmë në njëfarë mënyre hyn në këtë kategori, por në fund disi përfunduam me idenë se mund të jetë Britania e Madhe – duke marrë parasysh që Partia Laburiste sapo mori pushtetin”, tha atëherë JD Vance, duke nënkuptuar rritjen e numrit të myslimanëve në këtë vend.
JD Vance: “Britania do të bëhet vendi i parë islamist me armë bërthamore.
A pajtoheni me të?”
Politikanët britanikë reaguan shpejt ndaj këtyre deklaratave. Zëvendëskryeministrja Angela Rayner i cilësoi fjalët e Vance-it si “të çuditshme” dhe theksoi se “nuk e njeh një përshkrim të tillë për Britaninë”.
Rayner shtoi se Britania do të vazhdojë të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se kush është në pushtet në Uashington.
Deklaratat e tilla të zëvendëspresidentit amerikan ishin një paralajmërim për zhvillimet aktuale, duke treguar synimin e qartë për rishikimin e marrëdhënieve me Evropën, potencialisht duke u distancuar nga aleatët tradicionalë dhe duke zhvendosur fokusin drejt aktorëve të tjerë globalë.
Gjatë Konferencës së fundit në Mynih, Vance gjithashtu theksoi se kërcënimet ndaj Evropës nuk vijnë vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda, përmes “braktisjes së vlerave themelore”.