Fereydoun Abbasi, një nga shkencëtarët më të njohur bërthamorë iranianë dhe ish-kreu i Organizatës Iraniane për Energji Atomike, u vra më 13 qershor në një sulm ajror izraelit mbi Iranin – njoftoi agjencia iraniane Tasnim.
Emri i tij kishte qenë më parë në shënjestër – në vitin 2010 ai mbijetoi një përpjekje për atentat, kur një motoçiklist i vendosi një pajisje shpërthyese në makinën e tij në Teheran. Në atë kohë, ai ishte një nga figurat kyçe të programit bërthamor iranian dhe pjesë e një fushate më të gjerë të atentateve ndaj shkencëtarëve të këtij fushe.
Në intervistën e fundit para vdekjes, i pyetur nëse kishte frikë nga atentatet, Abbasi u përgjigj me qetësi, thuajse me një buzëqeshje:
“Ne jetojmë në mënyrë normale. A kemi pasur frikë më parë? A kemi frikë tani? Më parë më përmendnin, më vendosnin në lista dhe thoshin: ‘Do të të vrasim’. Unë u thosha: ‘Faleminderit, çfarë mund të bëj?’”
Ai shtoi se misioni i tij ishte i përfunduar:
“Në thelb, e kam përmbushur detyrën time. Jemi plakur. Më e rëndësishmja është që tani të rinjtë po e bëjnë punën që ne dikur e bënim. Ua kemi dorëzuar gjithçka. Tani jemi këtu për të bërë shaka dhe për të qëndruar ulur,” përfundoi ai.
Me këto fjalë, Abbasi në mënyrë simbolike paralajmëroi kalimin e brezave në sektorin bërthamor iranian, ku sipas të dhënave zyrtare, punojnë mbi 25,000 ekspertë vetëm në fushën bërthamore, dhe më shumë se 500,000 inxhinierë në të gjitha fushat e teknologjisë dhe shkencës.
Ndërkohë që Izraeli pretendon se sulmet kishin për qëllim “ta parandalonin Teheranin të ndërtonte armë bërthamore”, analistët paralajmërojnë se një shkatërrim i plotë i programit bërthamor iranian do të kërkonte një fushatë të gjerë ushtarake – që përfshin bombardimin e universiteteve, instituteve akademike, objekteve nëntokësore të fortifikuara, si dhe atentate ndaj qindra shkencëtarëve.