Shtetet e Bashkuara kanë vendosur pranë kufirit me Iranin një nga avionët më të mëdhenj ushtarakë në botë

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur pranë kufirit me Iranin një nga avionët më të mëdhenj ushtarakë në botë – C-5M Super Galaxy – së bashku me njësi të avancuara ajrore, në kuadër të përgatitjeve ndaj një përshkallëzimi të mundshëm me Teheranin. Ky zhvillim ndodh ndërsa operacioni “Luani që ngrihet” i Izraelit kundër objektivave ushtarake dhe bërthamore iraniane hyn në ditën e tij të tetë.

Prej vitesh, midis Iranit dhe Izraelit kanë ndodhur operacione të fshehta dhe sulme të kufizuara me raketa, por ngjarjet e fundit i kanë shtyrë palët drejt një përplasjeje të hapur ushtarake.

Avioni strategjik u dërgua në një bazë amerikane në Arabinë Saudite, pranë kufirit me Iranin. Ai u nis nga baza ajrore Aviano në Itali dhe mbërriti në destinacion pa u ndalur.

Ky hap vlerësohet si pjesë e strategjisë së SHBA-së për të forcuar praninë dhe ndikimin ushtarak në Lindjen e Mesme.

Përveç avionit C-5M, Pentagon ka dërguar në rajon edhe avionë luftarakë të tipit F-16, F-22 dhe F-35, si dhe avionë cisternë për mbështetje logjistike. Sipas burimeve të Reuters, këto masa përshkruhen si “krejtësisht mbrojtëse”, me qëllim garantimin e sigurisë së trupave amerikane dhe aleatëve në zonë.

C-5M Super Galaxy është një nga avionët më të mëdhenj të transportit ushtarak në botë. Ai ka kapacitet për të transportuar mjete të blinduara, sisteme armatimi të rënda dhe pajisje të mëdha logjistike.

Vendosja e këtij avioni pranë Iranit shihet si një sinjal i qartë se SHBA është duke u përgatitur për çdo lloj skenari, përfshirë edhe një konflikt të drejtpërdrejtë. Përveç rritjes së kapacitetit të reagimit të shpejtë, Uashingtoni synon të forcojë dominimin ajror në rajon dhe të dërgojë një mesazh parandalues ndaj çdo kërcënimi që mund të vijë nga Irani apo aleatët e tij rajonalë.

Kategoritë
BotaLajme