Shqipëri, fillon procesi për dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19

Dozën e dytë të vaksinës e ka marrë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në qendrën e vaksinimit në Stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Në Shqipëri ka filluar procesi për dozën e dytë të vaksinës kundër koronavirusit të ri (COVID-19), për personelin shëndetësor që u vaksinuan në fazën e parë, raporton Anadolu Agency (AA).

Dozën e dytë të vaksinës e ka marrë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në qendrën e vaksinimit në Stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Pas vaksinimit, në një prononcim për mediat kryeministri Rama theksoi se kanë hyrë në zbatimin e kontratës me kompaninë Pfizer.

“Situata e përgjithshme e vaksinimit dhe furnizimit me vaksina në krejt Evropën është tejet kaotike. Kemi parë që vende të mëdha përfshirë edhe në Bashkimin Evropian (BE) kanë filluar kërcënimet për ndjekjen në rrugë gjyqësore të kompanive, pasi kërkesa është marramendëse dhe në të gjitha rastet oferta është ende shumë e ulët për shkak të numrave të prodhimit”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama tha se kanë marrë konfirmim nga Pfizer që në mesin e muajit shkurt të mbërrijnë doza të tjera të vaksinës.

Kujtojmë se në Shqipëri aktualisht kanë mbërritur 1.170 dozat e para të vaksinave kundër COVID-19 nga kontrata me kompaninë Pfizer.

Sipas autoriteteve të Shqipërisë, janë kontaktuar doza të vaksinës kundër COVID-19 për 800 mijë qytetarë, që përfshijnë vaksinat e marrëveshjes me Pfizer dhe instrumentit COVAX.

Shqipëria filloi zyrtarisht më 11 janar fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19) fillimisht me personelin shëndetësor dhe deri tani janë vaksinuar qindra punonjës të shëndetësisë.

Kategoritë
LajmeRajoni