Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka paralajmëruar veprime ligjore kundër SpaceX, kompania e miliarderit Elon Musk, për ndotje dhe mbeturina të shkaktuara gjatë lançimeve të raketave në kufi me Shtetet e Bashkuara.
Gjatë një konference për shtyp, Sheinbaum deklaroi se qeveria po shqyrton shkeljet e mundshme të të drejtës ndërkombëtare dhe do të ndërmarrë “paditë e nevojshme” për atë që e quajti “kontaminim të dukshëm”.
Çfarë ndodhi?
Javën e kaluar, një raketë Starship e SpaceX shpërtheu gjatë një prove teknike në bazën Starbase, pranë kufirit të Teksasit me shtetin meksikan Tamaulipas. Shpërthimi krijoi një top gjigant zjarri, duke shtuar shqetësimet për ndikimet në mjedis.
Meksika ka nisur një auditim të plotë të ndikimit ambiental të këtyre lançimeve në territorin e saj, veçanërisht në zonat ekologjike të ndjeshme.
Mospajtime edhe me SHBA-në dhe Google
Administrata Federale Amerikane e Aviacionit rriti në maj numrin e lejueshëm të lançimeve të Starship nga 5 në 25 në vit, duke pretenduar se nuk do të ketë ndikim negativ në mjedis. Kjo vendim u mor pavarësisht paralajmërimeve nga grupet ambientaliste, të cilat shprehën shqetësime për breshkat detare dhe shpendët bregdetarë.
Tashmë, kjo padi e mundshme do të ishte një përplasje e re ligjore mes Meksikës dhe korporatave amerikane. Në maj, qeveria meksikane paditi edhe Google për ndryshimin e emrit të Gjirit të Meksikës në “Gulf of America” në hartat për përdoruesit amerikanë – një vendim që lidhet me një urdhër ekzekutiv të ish-presidentit Donald Trump.