Sindikata gjermane e punëtorëve Verdi ka shpallur një grevë 24-orëshe në aeroportet e Gjermanisë të hënën, duke bërë që mijëra fluturime të anulohen, raporton Reuters.
Analistët në Gjermani vlerësojnë se më shumë se 500,000 pasagjerë do të preken nga kjo grevë, pasi kishin planifikuar të fluturonin nga aeroportet gjermane të hënën.
Disa aeroporte tashmë kanë njoftuar pasagjerët që të mos paraqiten për fluturimet e tyre. Në mesin e tyre janë aeroportet në Frankfurt, Mynih, Shtutgart, Këln, Dyseldorf, Dortmund, Hanover, Bremen, Hamburg, Berlin dhe Leipzig.
Greva u shpall pasi dështuan negociatat midis aeroporteve dhe sindikatës Verdi për rritjen e pagave për punëtorët e aeroporteve.
Sindikata kërkon një rritje minimale prej 8% ose një rritje prej të paktën 350 euro, si dhe bonuse më të larta dhe ditë shtesë pushimi për punonjësit e aeroporteve në Gjermani.
Pas dështimit të raundit të dytë të negociatave, Verdi deklaroi se, ndonëse fillimisht ishte planifikuar të shmangej një grevë, tashmë është e qartë se punëtorët duhet të mbajnë këtë formë proteste për të çuar përpara kërkesat e tyre.