Vetëm disa orë para hyrjes në fuqi të armëpushimit, Irani kreu një nga sulmet më të ashpra në luftën me Izraelin, duke goditur qytetin jugor izraelit Beersheba me raketa balistike.
Sipas raportimeve, në sulm humbën jetën pesë persona. Në një valë sulmesh që zgjatën për disa orë, u godit edhe një ndërtesë banimi ku humbën jetën katër prej viktimave.
Të gjithë të vrarët në këtë kompleks po fshiheshin në dy dhoma të sigurta në katin e gjashtë të ndërtesës. Njëra prej dhomave u godit drejtpërdrejt nga raketa iraniane dhe u shkatërrua plotësisht.
Përveç pesë të vrarëve, disa persona të tjerë u plagosën – tre prej tyre janë në gjendje kritike, disa kanë lëndime të moderuara, ndërsa të paktën pesë persona janë lënduar lehtë. Goditja shkaktoi dëme të mëdha në infrastrukturë dhe objekte banimi në zonë.
Vetëm dy orë pas sulmit, të dyja palët konfirmuan se kishin rënë dakord për armëpushim, i cili u shpall publikisht nga presidenti amerikan Donald Trump.
Faza vendimtare e përshkallëzimit
Dy ditë më parë, Shtetet e Bashkuara hynë zyrtarisht në konflikt, duke bombarduar tre lokacione në Iran ku ndodheshin objekte bërthamore.
Një ditë më vonë, të hënën, Irani reagoi me sulme ndaj bazave amerikane në Siri dhe Katar, duke shënuar një nga momentet më të rrezikshme të luftës që po trondit Lindjen e Mesme.