Shefi i Pentagonit i bindur se NATO-ja do ta pranojë objektivin e Trump-it për shpenzimet në mbrojtje

Ministri amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi të enjten se është i bindur që vendet anëtare të NATO-s do ta pranojnë kërkesën e Donald Trump-it për një rritje të ndjeshme të shpenzimeve për mbrojtje, duke shtuar se kjo duhet të ndodhë para samitit të qershorit.

Presidenti amerikan ka propozuar që aleatët e NATO-s të rrisin investimet për mbrojtje në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), në krahasim me objektivin aktual prej 2%.

“Që të jeni një aleancë, duhet të jeni më shumë se flamuj. Duhet të jeni formacione. Duhet të jeni më shumë se konferenca,” tha Hegseth në mbërritjen e tij në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.

Sipas diplomatëve, aleatët evropianë e kuptojnë se rritja e shpenzimeve për mbrojtje është çmimi që duhet paguar për të siguruar përkushtimin e vazhdueshëm amerikan për sigurinë e kontinentit, dhe se pranimi i kërkesës së Trump-it për 5% do të përfaqësonte një fitore politike për të gjatë samitit që do të mbahet më 24 dhe 25 qershor.

“Do të jetë një investim shtesë i rëndësishëm,” u tha gazetarëve Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke parashikuar se në samitin e Hagues do të vendoset një objektiv shumë më i lartë shpenzimesh për të gjitha vendet anëtare.

Për të arritur objektivin e Trump-it, Rutte ka propozuar që vendet e NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 3.5% të PBB-së, ndërsa 1.5% tjetër të dedikohet për shpenzime të përgjithshme të lidhura me sigurinë, raportoi Reuters.

Ndërkohë, Rutte tha se pret që aleatët të bien dakord të enjten për atë që e quajti “objektiva të rinj historikë të kapaciteteve”.

Këto objektiva do të përcaktojnë sa ushtarë, armë dhe municione duhet të sigurojë çdo shtet për NATO-n, me synim krijimin e një barazpeshe më të mirë të kontributeve mes Evropës, Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara, për ta bërë NATO-n një aleancë më të fortë, më të drejtë dhe më vdekjeprurëse, siç u shpreh ai në fjalimin hapës.

Megjithatë, vendet anëtare janë ende të ndara në lidhje me afatet kohore për këto angazhime të reja. Po zhvillohet një debat rreth përcaktimit të saktë të shpenzimeve për mbrojtje, të cilat mund të përfshijnë edhe sigurinë kibernetike dhe disa lloje të infrastrukturës.

Kategoritë
BotaLajme