SHBA miraton 30 milionë dollarë për ndihmën humanitare në Gaza mes akuzave për politizim

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka miratuar një grant prej 30 milionë dollarësh për Fondacionin Humanitar për Gazën (GHF), një organizatë që ka ngjallur polemika për mënyrën e shpërndarjes së ndihmës humanitare në këtë zonë të konfliktit.

Sipas dokumenteve të siguruara nga The Guardian, Departamenti i Shtetit tashmë ka transferuar 7 milionë dollarë për GHF-në – një organizatë e mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli, e cila ka privilegje në aksesin dhe operimin brenda Gazës me arsyetimin se mund të shpërndajë miliona racione ushqimore pa rrezikun që ato të përfundojnë në duart e Hamasit.

Megjithatë, implementimi i këtij programi është shoqëruar me kaos. Forcat izraelite kanë vrarë qindra civilë pranë qendrave të shpërndarjes që ishin nën mbikëqyrje ushtarake, disa drejtues të lartë të GHF-së kanë dhënë dorëheqje duke e cilësuar misionin si të “politizuar”, ndërsa raportimet flasin për lidhje të ngushta mes organizatës dhe qeverisë izraelite.

Burime brenda administratës thanë se aplikimi për grant është përshpejtuar në mënyrë të pazakontë, pa kaluar nëpër auditimet e zakonshme të USAID-it, ndonëse ishte hera e parë që GHF aplikonte për fonde federale.

“Është shtyrë përpara pavarësisht kundërshtimeve teknike dhe etike”, tha një burim për The Guardian.

Sipas agjencisë Reuters, GHF mund të përfitojë deri në 30 milionë dollarë në muaj për të mbuluar kostot e operimit në Gaza.

Departamenti i Shtetit nuk ka konfirmuar apo mohuar këto raportime.

Nga ana tjetër, edhe figura të rëndësishme demokrate e kanë kritikuar vendimin. Senatorja Elizabeth Warren nga Massachusetts, në një letër dërguar Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, tha se mbështetja për GHF-në përfaqëson një “largim shqetësues nga organizatat humanitare profesionale që kanë punuar për dekada në terren, si në Gaza ashtu edhe në rajone të tjera në krizë.”

Kategoritë
BotaLajme