Senatori nga shteti federal i Teksasit, Ted Cruz, anëtar i Partisë Republikane, dha një intervistë për gazetarin dhe prezantuesin e njohur të djathtë Tucker Carlson, me temë kryesore luftën mes Izraelit dhe Iranit.
Pjesë të kësaj interviste janë bërë virale në rrjetet sociale, kryesisht për shkak të debatit të ashpër mes Carlsonit dhe Cruzit rreth “ndryshimit të regjimit” në Iran, dhe faktit që Cruz mbron qëndrimin se qeveria aktuale iraniane duhet të përmbyset.
Carlson e pyeti Cruz-in nëse e di sa banorë ka Irani dhe cila është përbërja etnike e vendit, dhe përgjigjja e senatorit u bë objekt talljeje.
“Nuk e di sa njerëz jetojnë në Iran dhe nuk e kuptoj pse është e rëndësishme ta di,” u përgjigj Cruz, duke u përpjekur të shmanget me fjalët: “Aty jetojnë persë që janë kryesisht myslimanë shiitë.”
Në reagim ndaj këtyre deklaratave, Carlson tha se “nuk mund ta besojë” që Cruz “nuk di asgjë për një vend ku kërkon ndryshimin e regjimit.”
Një moment veçanërisht interesant ishte komenti i Cruz-it se “para 13 vjetësh erdha në Senat për të qenë mbrojtësi i parë i Izraelit”, dhe pretendimi i tij se AIPAC – grupi i njohur lobist pro-izraelit në SHBA – “nuk është organizatë politike.”
Sipas mediave amerikane, intervista është tregues i ndarjeve brenda grupit MAGA (Make America Great Again) që mbështet presidentin Donald Trump.
Një kamp, më i afërt me qëndrimet pro-izraelite dhe ku bën pjesë Cruz, mbështet një sulm ndaj Iranit si “mbrojtje e interesave amerikane”, ndërsa kampi tjetër rikujton premtimin e Trump-it se nuk do ta përfshijë Amerikën në luftëra të reja në Lindjen e Mesme apo gjetkë në botë.
Sa i përket vetë Trump-it, informacionet më të fundit thonë se ai po planifikon t’i bashkojë forcat ushtarake amerikane ofensivës izraelite ndaj Iranit, me qëllim – siç është thënë – “shkatërrimin e programit bërthamor iranian.”