Senatori amerikan dërgon mesazh të tmerrshëm për Greta Thunberg që po lundron drejt Gazës

Senatori amerikan Lindsey Graham u përball të dielën me kritika të ashpra për shkak të një postimi të tij në rrjetet sociale lidhur me aktivisten suedeze për klimën, Greta Thunberg, 22 vjeçe.

Graham ndau një artikull që tregonte për pjesëmarrjen e Thunberg në një flotilë që po udhëton drejt Gazës me qëllim të shpërndarjes së ndihmave humanitare për popullin palestinez, në mes të një bllokade shumëmujore izraelite që ka shkaktuar uri masive.

“Shpresoj që Greta dhe miqtë e saj dinë të notojnë!”, shkroi Graham – aleat i ngushtë i presidentit Donald Trump dhe përkrahës i flaktë i Izraelit – në platformën X, që më parë njihej si Twitter dhe është në pronësi të Elon Musk.

Kritikët e dënuan ashpër deklaratën e Grahamit, duke e cilësuar si “person të lig”.

“Në një vend të shëndoshë, një postim i tillë do të ishte i papranueshëm për dikë në funksion publik,” shkruhej në një koment.

Gazetari i njohur Mehdi Hasan reagoi duke thënë: “Një senator aktual i Shteteve të Bashkuara po kërcënon me bombardim një konvoj plot me aktivistë paqësorë – përfshirë edhe Greta Thunberg. Është vështirë të përshkruash se sa sociopatë, të çoroditur dhe kriminalë janë bërë disa nga përkrahësit e Izraelit.”

Kategoritë
BotaLajme