Rusia: Rritja e shpenzimeve të NATO-s nuk do të ketë ndikim “të rëndësishëm” në sigurinë e saj

“Sa i përket ndikimit të këtij qëllimi prej 5 për qind në sigurinë tonë, nuk mendoj se do të jetë i rëndësishëm”, tha kryediplomati Lavrov

Rusia ka deklaruar se vendimi i NATO-s për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të anëtarëve të saj deri në vitin 2035 nuk do të ketë ndikim “të rëndësishëm” në sigurinë e saj, transmeton Anadolu.

“Sa i përket ndikimit të këtij qëllimi prej 5 për qind në sigurinë tonë, nuk mendoj se do të jetë i rëndësishëm”, tha kryediplomati rus, Sergey Lavrov, në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij nga Laosi, Thongsavanh Phomvihane, pas bisedime në Moskë.

Lavrov tha se Rusia e di se cilat qëllime po ndjek, të cilat janë “absolutisht të ligjshme nga pikëpamja e çdo interpretimi të parimeve të Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare”.

“Ne e dimë se me çfarë mjetesh do t’i sigurojmë gjithmonë këto qëllime”, tha ai.

Ministri rus gjithashtu foli edhe për situatën në Lindjen e Mesme, duke argumentuar se SHBA-ja dhe Teherani janë të interesuar në lëvizjen e situatës drejt një kursi paqësor.

Lavrov tha se Rusia shpreson për vazhdimin e bashkëpunimit të Teheranit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), pavarësisht vendimit për të pezulluar bashkëpunimin me mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së.

Ai tha se regjimi i mos përhapjes bërthamore ka vuajtur si rezultat i sulmeve të Izraelit dhe SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

“Më duket se të gjithë janë të interesuar që situata tani të kalojë në një kanal politik. Shefi i shtabit të përgjithshëm të Izraelit tha se për momentin armëpushimi është në fuqi, por kjo kryesisht sepse është e nevojshme të përfundohet ajo që është filluar në lidhje me Hamasin dhe më pas është e domosdoshme kthimi në vazhdimin e operacionit kundër Iranit”, tha Lavrov.

Sipas tij, kjo është alarmante dhe bie ndesh me “deklaratat e pothuajse të gjithë pjesëmarrësve të tjerë të përfshirë në këtë situatë, përfshirë siç e kam thënë tashmë, deklaratat e Trumpit”.

Lufta 12-ditore midis Iranit dhe Izraelit u ndal të martën pasi Trump njoftoi një armëpushim.

Dje, pas samitit në Hagë, vendet anëtare të NATO-s u zotuan të ndajnë 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për çdo vit deri në vitin 2035 për të përmbushur kërkesat kryesore të mbrojtjes dhe nevojat më të gjera të sigurisë.

Kategoritë
BotaLajme