Njësitë e ushtrisë ruse nga Divizioni i 90-të tankist thuhet se kanë arritur kufirin e rajonit Dnjepropetrovsk nga drejtimi i Donjeckut, pjesë e të cilit tashmë kontrollohet nga forcat ruse, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes. Po sipas këtij institucioni, trupat më pas kanë vazhduar përparimin në thellësi të Dnjepropetrovskut.
Rusia pretendon se për herë të parë ka depërtuar në këtë rajon qendror të Ukrainës, një zhvillim që do të përbënte sfidë të madhe për forcat ukrainase të cilat tashmë janë të mbingarkuara në disa fronte.
Megjithatë, Ukraina e ka mohuar këtë pretendim. Zëdhënësi i forcave ukrainase “Hortiçja”, Viktor Trehubov, i tha CNN-it se “rusët po përhapin dezinformata se kanë hyrë në rajonin Dnjepropetrovsk nga drejtimi i Pokrovskit dhe Novopavlivkës, por kjo nuk është e vërtetë në asnjë prej atyre zonave”.
Nëse pohimet ruse do të rezultonin të vërteta, kjo do të përbënte një dështim strategjik për Ukrainën, sidomos në kohën kur procesi i negociatave të paqes është i bllokuar.
ISW (Instituti për Studimin e Luftës) raportoi se Rusia vazhdoi ofensivën drejt qytetit Pokrovsk, por nuk arriti përparim të konsiderueshëm. Nga ana tjetër, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës deklaroi se forcat e saj ndaluan 65 sulme ruse në drejtimin e Pokrovskit vetëm të dielën në mëngjes.
Aktualisht, Rusia kontrollon pak më pak se 20% të territorit të Ukrainës – përfshirë Krimenë, si dhe pjesë të Donjeckut, Luganskut, Zaporozhjes dhe Hersonit. Nga këto, ajo pretendon se synon të kontrollojë plotësisht tri të parat.
Rajoni Dnjepropetrovsk, i cili kufizohet me Donjeckun, Hersonin dhe Zaporozhjen, ka më pak popullsi dhe është më rural, por është zonë e rëndësishme strategjike për logjistikë dhe industri minierash, me rreth 3 milionë banorë para luftës.
Ky zhvillim, nëse konfirmohet, do të shënonte një hap të ri në përshkallëzimin e luftës dhe do të përforconte frikën për një zgjatje të mëtejshme të konfliktit.