Ndërsa Rusia vazhdon luftën kundër Ukrainës, fabrika strategjike e raketave në Votkinsk po përjeton një zgjerim të shpejtë dhe të heshtur, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare – një zhvillim që nxit frikën se Moska po përgatitet për një konflikt afatgjatë, ndoshta edhe global.
Fabrika që po ushqen frontin dhe kërcënon Perëndimin
Fabrika në Votkinsk, një qendër kyçe për raketat balistike të Rusisë, ka punësuar 2.500 punëtorë të rinj që nga viti 2022, duke e çuar numrin total të punonjësve në mbi 12.000. Janë ndërtuar objekte të reja prodhimi, modernizuar teknologjia dhe janë blerë mbi 7.000 njësi pajisjesh industriale, përfshirë furra për ngrohje metali, presa dhe pajisje për përpunim preciz.
Ky zhvillim vjen në kundërshtim të hapur me sanksionet e vendosura nga SHBA dhe BE, të cilat ndalojnë eksportin e teknologjisë dhe materialeve për përdorim ushtarak.
Iskander-M në Ukrainë, Jars dhe Bulava për SHBA-në?
Raketat Iskander-M, të prodhuara në këtë fabrikë, po godasin çdo ditë qytete të Ukrainës si Kievi, Sumi dhe Krivi Rog. Por ajo që shqetëson më shumë analistët nuk është vetëm kërcënimi aktual ndaj Ukrainës, por kapaciteti i fabrikës për të prodhuar raketa ndërkontinentale si Jars dhe Bulava, të afta për të mbajtur koka bërthamore dhe për të goditur SHBA-në dhe metropolet evropiane.
“Këto raketa nuk janë për Ukrainën. Ato kanë për objektiv Washingtonin, Nju Jorkun, Parisin,” – tha analisti ushtarak Oleh Katkov.
Ndihma nga Kina dhe India
Pavarësisht sanksioneve, Rusia po siguron teknologji dhe lëndë të para përmes Kinës dhe Indisë. Një raport i brendshëm nga Këshilli Ekonomik për Siguri i Ukrainës (ESCU) pohon se:
- Pjesa më e madhe e lëndëve të para për raketat Iskander vijnë nga Kina.
- Korporata ruse VSMPO-AVISMA, e specializuar në prodhimin e titaniumit, ka degë në Pekin që veprojnë si kanale të furnizimit për industrinë ushtarake ruse.
- Mikroelektronika dhe pajisje precize po kontrabandohen përmes rrjeteve të fshehta tregtare.
Prodhimi si rrjet i decentralizuar
Asnjë raketë ruse nuk prodhohet në një vend të vetëm. Fabrika në Votkinsk është vetëm pika përfundimtare e montimit, ndërsa dhjetëra ndërmarrje të tjera në Rusi prodhojnë komponentët si trupat e raketave, sistemet e navigimit dhe karburantin.
Kjo do të thotë se rritja e kapaciteteve në Votkinsk sinjalizon një ringjallje të plotë të gjithë rrjetit të industrisë ushtarake ruse.
Sinjal për botën: Rusia nuk ngadalëson
Analistët e shohin këtë zhvillim si më shumë se thjesht përgatitje për vazhdimin e luftës në Ukrainë. Ai paralajmëron përgatitje për konflikte të mundshme në të ardhmen, duke përfshirë edhe konfrontime direkte me Perëndimin.
“Rusia jo vetëm që po ruan prodhimin, por po e rrit me ndihmën e partnerëve të jashtëm. Është një sinjal i qartë: Moska po përgatitet për një konfrontim të gjatë dhe të gjerë,” – përfundon raporti i Kyiv Independent.
Në këtë kontekst, fjala “luftë e përjetshme” po kalon nga një frikë teorike në një realitet i ndërtuar sistematikisht nëpër fabrika si ajo në Votkinsk.