Rusia ka kërkuar një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për shkak të situatës politike në Bosnje dhe Hercegovinë.
Sipas informacioneve të reporterit të Al Jazeera-s nga Uashingtoni, Ivica Puljiq, seanca pritet të mbahet me dyer të mbyllura.
“Kjo është një lëvizje shumë e rëndësishme e misionit rus në OKB,” deklaroi Puljiq.
Përplasjet politike në Bosnje dhe Hercegovinë janë intensifikuar pas dënimit të presidentit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik. Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës e dënoi Dodikun më 26 shkurt 2025 me një vit burg për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë.
Përveç dënimit me burg, atij iu ndalua gjithashtu ushtrimi i funksionit të presidentit të Republikës Sërpska për një periudhë prej gjashtë vitesh.
Pas shpalljes së vendimit, Kuvendi Popullor i Republikës Sërpska (NSRS) mbajti një seancë të jashtëzakonshme, ku deputetët refuzuan unanimisht vendimin e Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës, duke e cilësuar atë si politikisht të motivuar dhe të paligjshëm.
NSRS miratoi përfundime që konfirmojnë mbështetjen për Dodikun si presidentin legjitim të Republikës Sërpska dhe shpalli se institucionet e këtij entiteti nuk do ta njohin vendimin e gjykatës.
Gjithashtu, u miratuan një sërë ligjesh jokushtetuese që ndalojnë funksionimin e disa institucioneve të Bosnje dhe Hercegovinës në këtë entitet.