Moska dhe Kievi konfirmojnë shkëmbimin e një numri të barabartë të robërve të luftës
Rusia dhe Ukraina kanë kryer një shkëmbim tjetër të të burgosurve të luftës, njoftoi sot Ministria ruse e Mbrojtjes, si pjesë e marrëveshjes së arritur gjatë bisedimeve në Stamboll më 2 qershor, transmeton Anadolu.
Ministria konfirmoi se të dyja palët shkëmbyen grupe ushtarësh me numër të barabartë, megjithëse nuk zbuloi numrin e personave të përfshirë në shkëmbim. Sipas deklaratës, ushtarët rusë të riatdhesuar ndodhen aktualisht në Bjellorusi, ku po marrin kujdes mjekësor dhe mbështetje psikologjike.
Të gjithë të kthyerit do të transferohen më vonë në mjediset mjekësore në Rusi për trajtim dhe rehabilitim të vazhdueshëm, tha ministria.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy konfirmoi shkëmbimin, duke thënë se shumë nga trupat e liruara kishin kaluar më shumë se dy vjet në robërinë e Rusisë. “Shumica e luftëtarëve që u kthyen sot nga robëria ruse ishin mbajtur për më shumë se dy vjet. Dhe tani, më në fund, ata janë në shtëpi”, tha Zelenskyy në një postim në X.
Ai shtoi tha se ushtarët përfshinin mbrojtës nga Mariupoli, Donetsku, Luhansku, Zaporizhzhia, Khersoni, Kharkivi dhe Chernihivi, që përfaqësonin forcat e armatosura të Ukrainës, Gardën Kombëtare dhe Shërbimin e Rojës Kufitare.