Pas takimit të mbajtur në Riad, sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, deklaroi se të gjitha palët duhet të jenë të kënaqura me marrëveshjen që do të arrihet dhe se ajo duhet të shënojë përfundimin e luftës.
“Të gjithë duhet të jenë dakord me marrëveshjen”, tha Rubio, duke nënvizuar rolin e Bashkimit Evropian si të domosdoshëm për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
“Dy gjëra janë të rëndësishme për t’u kuptuar. E para është se i vetmi lider në botë që mund ta realizojë këtë dhe që mund të mbledhë njerëzit për të filluar diskutimin seriozisht, është presidenti Trump. Gjëja e dytë që do të theksoja është se për të përfunduar konflikti, të gjithë ata që janë të përfshirë në të duhet të jenë dakord dhe ta pranojnë atë.” – tha Rubio, duke e cilësuar këtë si hapin e parë në një rrugë të gjatë dhe të vështirë.
Ai shtoi se për t’i dhënë fund çdo konflikti, të gjitha palët duhet të bëjnë lëshime, por do të ishte gabim që ato të përcaktoheshin paraprakisht.
Rubio sugjeroi rolin e Bashkimit Evropian, duke thënë se ekzistojnë edhe palë të tjera që kanë vendosur sanksione.
“Bashkimi Evropian do të duhet të jetë në tryezën e negociatave në një moment, sepse edhe ata kanë vendosur sanksione. Qëllimi është të përfundojmë këtë konflikt në një mënyrë që është e drejtë, e qëndrueshme dhe e pranueshme për të gjitha palët e përfshira. Si do të duket kjo? Pikërisht për këtë do të zhvillohen angazhimet aktuale.” – tha Rubio.
Fokusi te diplomacia dhe procesi i paqes
Rubio theksoi se një pjesë e fokusit është të sigurohet që misionet diplomatike të funksionojnë dhe të zhvillojnë marrëdhënie diplomatike aktive.
Si element të dytë, ai përmendi procesin e negociatave të paqes për Ukrainën, për të cilin tha se do të përfshijë “angazhim dhe konsultime” me Ukrainën dhe “partnerët në Evropë”.
Më pas, ai theksoi se në hapin e tretë, në fund të fundit, SHBA-ja dëshiron të kalojë drejt identifikimit të mundësive të jashtëzakonshme që mund të lindin nëse ky konflikt përfundon në një mënyrë të pranueshme, për të krijuar një partneritet gjeopolitik me Rusinë në çështje me interes të përbashkët, si dhe në aspektet ekonomike.
“Diplomacia është aspekti ku shpresojmë të ecim përpara shpejt, sepse përfshin trajtimin e misioneve tona përkatëse. Elementi i dytë është ai më i vështiri – çështja e Ukrainës dhe përfundimi i këtij konflikti – por unë besoj se kjo është thelbësore për të bërë të mundur hapin e tretë. Ky hap i tretë është aftësia jonë për të bashkëpunuar në çështje të tjera gjeopolitike me interes të përbashkët, si dhe për të krijuar disa partneritete ekonomike potencialisht historike dhe unike. Megjithatë, çelësi që do të hapë derën për këto mundësi është përfundimi i këtij konflikti.” – tha Rubio.