Rrugët e Tel Avivit në rrënoja pas sulmit, banorët të frikësuar: “Dolëm ngadalë sepse kishim frikë”

Rrugët e Tel Avivit janë të mbuluara me rrënoja pas sulmit iranian, ndërsa ekipet e shpëtimit dhe forcat ushtarake po kërkojnë në vendin e goditur nga katër raketa balistike, raporton CNN.

Korespondenti i CNN-it nga Jerusalemi, Jeremy Diamond, shkruan se një nga banoret “e ndjeu goditjen” ndërsa ndodhej në bodrum.

“Dolëm ngadalë, sepse kishim shumë frikë,” tha ajo, duke shtuar se “ndërtesat po binin” dhe në ajër ndjehej aromë e fortë tymi.

Një nga ndërtesat banesore pranë vendit të goditur është shembur pjesërisht, dhe mbetjet janë shpërndarë deri në disa blloqe larg. CNN njofton se të paktën 10 persona janë dërguar në spital.

Njerëz të shqetësuar u panë duke arritur në vendin e ngjarjes për të vlerësuar dëmet, ndërsa familjarë e miq përqafoheshin të tronditur nga sulmi.

“Kjo është ndoshta dhuna më e rëndë me të cilën është përballur Tel Avivi që nga sulmet me raketa gjatë Luftës së Gjirit në vitin 1991,” tha Diamond.

Ai theksoi se skenari mund të kishte qenë “shumë më vdekjeprurës” nëse banorët nuk do të ishin strehuar.

“Çdo person që mbijetoi nga ky sulm, me të cilin folëm, ndodhej në ndonjë lloj strehimi nëntokësor në momentin e goditjes. Kjo sepse disa orë para sulmit kishte një paralajmërim të hershëm për një sulm të mundshëm me raketa balistike nga Irani,” shtoi ai.

Kategoritë
BotaLajme