Me moton “Rruga e re”, të dielën Lidhja Demokratike e Kosovës do ta mbajë kuvendin e dhjetë.
Kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku kundërkandidat për drejtimin e partisë do të ketë Faton Bislimin
Faton Bislimi thotë se kandidatura e tij për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës është një ofertë për rikthimin e LDK-së te vlerat themeltare dhe idealet kombëtare të ish-presidentit, Ibrahim Rugova.
“Kandidatura ime është një ofertë për LDK-në, është një ofertë për rikthimin e LDK-së tek vlerat themeltare dhe idealet kombëtare të cilat suksesshëm janë trasuar nga presidenti historik Ibrahim Rugova dhe si të tilla i shërbejnë LDK-së për të ruajtur profilizimin e vet djathtistë në Kosovë dhe për të qenë e gatshme për t’u ballafaquar me sfidat e ardhshme zgjedhore në raport me pushtetin e tanishëm…Nuk kam dyshim se LDK-ja do t’i qëndrojë besnike vlerave të saja të demokracisë së brendshme. Statuti është i qartë në çështjen e zgjedhjes së kryetarit të LDK-së. Ju e dini se mandati i kryetarit aktual ka skaduar edhe kryetari i aktual është i gatshëm të rikandidojë dhe një kandidaturë siç është e imja do të duhej të vendoseshin në kutinë e fshehtë siç e përcakton statuti nga 355 delegatët e LDK-së në ditën e Kuvendit zgjedhor”, ka pohuar Bislimi.
Ndërkaq, Abdxhiku para pak ditësh ka publikuar një këngë me videoklip, përmes të cilës thotë se “Rruga e re LDK-së po nis”.
“Në po të njëjtën ditë, në ngjarjen vijuese, thërras anëtarësinë tonë në ngjarjen e madhe të Konventës Programore ‘Rruga e Re’. Le të ketë festë! Le të ringritemi si një”, kishte pohuar ai.
Telegrafi ka provuar të marrë një koment nga zyrtarët e LDK-së, në lidhje me përgatitjet e konventës së dhjetë, por që deri tani nuk ka pasur ndonjë përgjigje.
Kujtojmë se Abdixhiku kishte marrë drejtimin e partisë më 14 mars, 2021.
Abdixhiku në vitin 2021 kishte përballë edhe dy kandidatë tjerë për kryetar të LDK-së, nënkryetarin, Lutfi Haziri dhe anëtarin e kryesisë, Besian Mustafën.
Në garën për kryetar të ri të LDK-së, kandidaturën e kishte shpallur edhe nënkryetari i kësaj partie, Anton Quni, por pak para nisjes së kuvendit, ai ishte tërheq nga gara për kreun e partisë.