Rriten përsëri çmimet e naftës, ankohen qytetarët

Rritja e çmimit të karburanteve nuk ka të ndalur këto ditë në vendin tonë. Në tregun e Kosovës një litër naftë ka arritur deri në 1.56 euro ose 10 centë më shumë se një javë më parë.

Këtë rritje të çmimeve të derivateve nuk e kanë mirëpritur qytetarët e hiç më pak edhe taksitë, derisa nga Shoqata e Naftëtarëve kjo ngritje arsyetohet me rritjen e çmimeve në bursë.

Qytetari nga Prishtina, Enver Mulani, tha se rritja e çmimit të naftës është e papërballueshme, derisa shton se çmimet janë ngritur e rrogat e punëtorëve në Kosovë janë të ulëta.

Po ashtu edhe Rexhep Latifi, i cili punon taksist, shprehet i shqetësuar me rritjen e çmimeve të karburanteve.

Sipas tij, me standardin e jetesës në Kosovë, çmimi i naftës nuk është aspak në rregull.

Qytetari Naser Sylejmani thotë se çmimet e naftës po rriten çdo ditë dhe shton se kjo po i kushton shumë në xhep.

Edhe kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka pranuar se këto ditë ka ngritje të çmimeve të karburanteve.

Ai në një përgjigje me shkrim thotë për KosovaPress se çmimi i naftës në Kosovë po rritet sipas çmimeve në bursa.

Ndërkaq, vendimi i fundit i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës duket se nuk po ndikon fare për uljen e çmimeve./kp/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi