Nga fushat e thjeshta të Zelandës së Re tek përballja me gjigantët e Evropës. Regont Murati nga Kosova ishte pjesë e një historie të pabesueshme, kur skuadra e tij gjysmë-profesioniste, Auckland City, u ndesh me kampionët e Gjermanisë, Bayern Munich. 90 minuta përballë emrave si Kane, Coman dhe Musiala, një ëndërr e bërë realitet.
Për Muratin, kjo nuk ishte vetëm një ndeshje. Ishte momenti që përfaqësonte punën, përkushtimin dhe pasionin e një jete të tërë. Një duel i pabarabartë në letër, por një kujtim që do ta ndjekë atë gjithmonë dhe një dëshmi e bukurisë së futbollit.
Në këtë intervistë ekskluzive për Telegrafi, Murati rrëfen përvojën e tij dhe emocionet e të luajturit në Kupën e Botës për Klube dhe përballjet që e presin në vazhdim me ekipe të njohura të futbollit.
“S’do të gënjej, ka qenë një ëndërr e bërë realitet për mua. Të përballesha me idhujt që i kam pasur shembull gjatë gjithë karrierës sime. Është diçka që mezi pres t’ua tregoj fëmijëve të mi, e fëmijët e tyre t’ua tregojnë fëmijëve të vet”.
“Për shembull, Leroy Sane, e kam ndjekur në Instagram prej vitesh, dhe edhe pse nuk luajti, isha në të njëjtën hapësirë me të. Ndihem jashtëzakonisht mirënjohës dhe i bekuar që përjetova atë moment, dhe mbi të gjitha, që kalova 90 minuta duke luftuar me më të mirët e futbolli”, tha Murati kur u pyet për përballjen ndaj yjeve të Bayernit.
Futbollisti me origjinë nga Peja e pati të vështirë të veçojë ndonjë emër kur u pyet se kush është lojtari që i ka bërë atij më së shumti përshtypje nga ajo përballje.
“Nëse do jem i sinqertë, si ekip ishin të gjithë në një nivel jashtëzakonisht të lartë, por Coman, Gnabry, Olise, Musiala, madje edhe Harry Kane, këta janë lojtarë tepër të talentuar, të fortë, të shpejtë dhe jashtëzakonisht të zgjuar në fushë”, deklaroi ai.
Në vazhdim, Auckland City do të përballet me Benficën para se ta mbyllë fazën e grupeve me sfidën ndaj Boca Juniors. Murati ka besim se skuadra e tij mund të marrë rezultate të dëshirueshme nga këto dy ndeshje.
“Të dyja janë ekipe profesioniste me lojtarë fantastikë. Do jetë një lloj tjetër loje nga ajo me Bayernin, më fizike, më teknike, më direkte dhe me më shumë duele një kundër një”
“Ne duhet patjetër ta ngremë nivelin tonë të lojës në mënyrë që të jemi konkurrues dhe të marrim diçka nga këto ndeshje. Duam ta sfidojmë veten dhe të bëjmë diçka të madhe, andaj fokusi duhet të mbetet i plotë”.