Cristiano Ronaldo, ikona globale e futbollit dhe një nga sportistët më të njohur të të gjitha kohërave, do të vazhdojë karrierën e tij te Al-Nassr, me një kontratë rekord për nga përfitimi financiar.
Prej kohësh ishte përfolur se kishte oferta nga vende të tjera, madje edhe se mund të luante në Kupën Botërore për Klube me një ekip tjetër. Por gjithçka është sqaruar – ai qëndron te Al-Nassr, dhe ka zgjatur kontratën edhe për dy vite të tjera!
Kontratë me vlerë 370 milionë euro
Klubi saudit konfirmoi se Ronaldo ka nënshkruar një kontratë të re që i garanton rreth 185 milionë euro në vit, duke e mbajtur kështu në krye të listës së futbollistëve më të paguar në botë. Sipas të dhënave të publikuara nga Marca spanjolle, ai do të fitojë:
- 15 milionë euro në muaj
- 3.8 milionë euro në javë
- 550 mijë euro në ditë
Bashkëpronar i klubit?
Përveç aspektit financiar, Ronaldo pritet të marrë edhe një pjesë të vogël në pronësinë e Al-Nassr-it, duke theksuar rëndësinë që ka ai për projektin dhe të ardhmen e klubit. Ai gjithashtu do të ketë ndikim në transferimet, një privilegj që pak lojtarë e kanë pasur në historinë e futbollit.
Qëndron në Arabinë Saudite
Edhe pse tashmë ka mbushur 40 vjeç, Ronaldo nuk mendon për pensionim. Qëllimi i tij personal është të arrijë 1.000 gola profesionalë. Aktualisht ka shënuar 93 gola në 105 ndeshje për Al-Nassr, ndërsa në total është golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit.
“Një mijë gola do të ishte e mrekullueshme, por edhe nëse nuk ndodh, unë tashmë jam lojtari me më shumë gola në histori,” tha Ronaldo në një intervistë.
Megjithëse ka rritur ndjeshëm profilin e Ligës Saudite, Ronaldo ende nuk ka fituar një trofe madhor me Al-Nassr, gjë që padyshim do të jetë objektivi kryesor në sezonet në vijim.