Rinovim apo transferim? Hoffenheim dhe Werder në garë për Fisnik Asllanin

Në javët e fundit është përfolur shumë për një transferim të mundshëm të Fisnik Asllanit, por së fundmi një qëndrim i tij te Hoffenheim po kthehet në qendër të diskutimeve.

Drejtori sportiv i klubit, Andreas Schicker, ka konfirmuar për gazetën BILD se janë duke u zhvilluar “bisedime të mira për rinovimin e kontratës” me përfaqësuesit e sulmuesit 22-vjeçar.

Pas një sezoni të shkëlqyer në huazim te Elversberg, ku realizoi 19 gola dhe 10 asistime, interesimi për Asllanin është rritur ndjeshëm.

Werder Bremen është një nga klubet e interesuara, ku ai do të kishte mundësinë të ribashkohej me trajnerin Horst Steffen, njeriun që e ktheu në një lojtar kyç gjatë kohës në Elversberg.

Megjithatë, transferimi drejt Werder Bremenit mbetet i vështirë për arsye financiare. Kjo pasi, Hoffenheim kërkon një shifër të lartë transferimi, të cilën Werder nuk mund ta përballojë pa realizuar më parë shitje të rëndësishme – siç mund të ishte ajo e Marvin Ducksch.

Ndërkohë, Asllani është me pushime dhe vendimi përfundimtar rreth të ardhmes së tij pritet pas kthimit.

Hoffenheim mbetet i hapur për rinovimin, ndërsa një lëvizje tjetër nuk përjashtohet – pasi pas sezonit të fundit të suksesshëm në Bundesliga 2, ai është bërë një nga emrat më të kërkuar në treg.

 

Kategoritë
LajmeSport