Rebelët sirianë pretendojnë se kanë nisur një operacion për rrethimin e Damaskut

Rebelët sirianë thonë se kanë filluar të rrethojnë Damaskun, i cili kontrollohet nga qeveria qendrore, pasi kanë marrë nën kontroll disa qytete përreth. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Sirisë mohon që ushtria të jetë larguar nga pozicionet pranë kryeqytetit.

Një nga komandantët e rebelëve, Hassan Abdel Ghani, deklaroi se forcat rebele kanë nisur fazën e fundit të rrethimit të kryeqytetit Damask.

Në një mesazh të veçantë, udhëheqësi i HTS-së, i njohur me emrin e tij të luftës Abu Mohammad al Jolani, u tha luftëtarëve rebelë: “Damasku ju pret.” Ajo që bie në sy është se këtë mesazh e ka nënshkruar me emrin e tij të vërtetë, Ahmed al-Sharaa.

Forcat rebele po avancojnë me shpejtësi drejt hyrjeve jugore të Damaskut dhe, sipas disa raporteve, të shtunën pasdite ndodheshin vetëm dhjetë kilometra larg prej hyrjeve jugore.

Në veri, në rrjetet sociale janë publikuar raporte se kanë nisur luftimet brenda qytetit të Homsit, një qytet me rëndësi strategjike që lidh Damaskun me bregdetin sirian, ku ndodhen bazat ushtarake ruse.

Kategoritë
BotaLajme