Rama: Jetojmë në një moment mjaft të ndërlikuar, veçanërisht në Evropë

Në Tiranë ka vazhduar në ditën e dytë forumi me temë “Nga njohuria në veprim: Ripërcaktimi i dialogut në rajonin Euro-Mesdhetar”, ndërkohë pjesë ishin edhe zyrtarë të lartë dhe ish-zyrtarë nga vende të ndryshme, raporton Anadolu.

Në hapje të forumit, mbajti një fjalë përshëndetëse edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili falënderoi organizatorët që kanë zgjedhur Tiranën për të organizuar këtë forum dhe për të folur për Mesdheun.

– Rama: Jetojmë në një moment mjaft të ndërlikuar, veçanërisht në Evropë

Kryeministri Rama u shpreh se ka hapësirë dhe ka vend edhe për vende të vogla për të kontribuar dhe për të luajtur një rol në mënyrë modeste, por sipas tij me krenari.

“Është e qartë se nuk jetojmë në momentin e përsosur. Ne jetojmë në një moment mjaft të ndërlikuar, veçanërisht në Evropë, diçka e pabesueshme po ndodh nën mbikëqyrjen tonë dhe madje është bërë normale. Dialogu ka gjithnjë e më pak mbështetës dhe gjithnjë e më shumë skeptikë në Evropë, gjë që është çmenduri”, u shpreh Rama.

Rama e konsideroi forumin një hapësirë dialogu dhe një hapësirë mundësish, sipas tij, për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin në Mesdhe, i cili shtoi ai “është kaq kompleks dhe i cili është kaq i larmishëm”. Ai tha se Mesdheu ka kaq shumë nevojë për shembuj se pse dhe si diversiteti mund të funksionojë shumë më mirë sesa homogjeniteti.

“Mesdheu duhet të dëgjohet dhe duhet të jetohet përmes të kuptuarit, pikërisht sepse është ndoshta zona më e larmishme e botës sonë dhe për shkak të kësaj ndoshta edhe më e ndërlikuara”, tha Rama.

Kategoritë
LajmeRajoni