Qindra protestues u përpoqën të hynin në fabrikën e Tesla në Gjermani, Musk pretendon se janë mercenarë

Në qytetin Grünheide, afër Berlinit, pati protesta masive për zgjerimin e fabrikës Tesla dhe ndikimin e saj në mjedis, gjatë të cilave qindra demonstrues u përleshën me policinë.

Konflikti ka ndodhur kur 800 demonstrues, sipas vlerësimit të policisë gjermane, kanë tentuar të hyjnë në zonën ku ndodhet aktualisht fabrika.

Në përfundim të protestës është arrestuar një person, ndërsa nuk dihet nëse ka të lënduar.

Tesla hapi fabrikën në mars 2022 dhe protestat filluan menjëherë. Mesazhi i protestuesve është se fabrika në këtë pjesë të Grünheide po dëmton mjedisin.

Përshkallëzimi ndodhi kur Tesla njoftoi zgjerimin e fabrikës, që do të rezultonte në shkatërrimin e një pjese të pyllit që rrethon këtë fabrikë.

 

Elon Musk, pronari i Tesla-s, i është përgjigjur këtyre protestave me disa postime në profilin e tij zyrtar X.

Ndër të tjera, ai ka pyetur veten “pse policia lejon kaq shumë protestues të majtë”, ndërsa më pas ka insinuar se protestat janë “të porositura”, dhe ka deklaruar se “diçka e çuditshme po ndodh” dhe se ka pyetur veten “kush janë pronarët e tyre”.

Vlen të theksohet se në mars të këtij viti, prodhimi në fabrikë ishte ndërprerë për një kohë të shkurtër për shkak të zjarrit. Policia ka hetuar për zjarrvënien e dyshuar, por deri më tani nuk ka të arrestuar.

Kategoritë
BotaLajme