Qeveria rrit shtesat për lehonat nga 170 euro në 325.9 euro, pagat rriten 55 euro

Lehonat në Kosovë nga ky muaj do të marrin shtesa me rritje nga 170 euro do të jetë 325.9 euro, e kumtoi vendimin në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Do të dalim me lajme shumë të mira, sepse qeveria e mirë del me lajme të mira. Po e nisim lajmin e mirë për nënat e reja. 70 mijë nënë të reja kanë përfituar nga shtesat. Sot do të miratojmë rritjen nga 170 euro në 325.9 euro. Kjo përbën një rritje të dyfishtë. Lajmi tjetër i mirë është për nënat lehona të punësuara. Përveç 70 për qind të pagës që marrin nga punëdhënësi për shtatë muaj, për tre muajt e tjerë për lehonat e punësuara, do të përfitojnë mbështetje edhe për tre muaj të tjerë 319.5 euro nga qeveria”, tha Kurti.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri në detyrë bëri të ditur se pagat e shërbyesve civilë do të rriten edhe për 55 euro të tjera, duke filluar nga muaji korrik.
Ai tha se kjo është rritja e dytë për këtë kategori, pasi një rritje e parë me po të njëjtën shumë (55 euro) ka hyrë në fuqi që nga janari i këtij viti.

“Pagat mujore për mbi 80 mijë zyrtarë do të jenë gjithsej 110 euro më të larta krahasuar me dhjetorin e vitit 2024.

Ndërsa, ministri në detyrë i Financave ,Hekuran Murati, tha se me këtë vendim po alokohet buxheti për të mbuluar fazën e dytë të rritjes së pagave për shërbyesit publikë.

“Sot po marrim vendim që të ndaj mjete buxhetore për të gjitha organizatat buxhetore në mënyrë që të mbulohet kostoja e rritjes për gjysmë e koeficientit tjetër për fazën e dytë, që në total janë mbi 31,2 milionë euro për të mbuluar koston e rritjes edhe për 55 euro tjera, që do të kontribuojë rritjen prej 110 euro për të gjithë shërbyesit publik që marrin pagë nga buxheti”, tha Murati.

Kryeministri në detyrë Kurti tha se nga 755 sa ishte paga mesatare, tani ajo arrin në 865 euro, apo një rritje 48 për qind.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi