Qeveria miraton vendimin, ndërpritet tregtimi i rrymës me kompanitë nga Serbia

Qeveria miraton vendimin, ndërpritet tregtimi i rrymës me kompanitë nga Serbia

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim vendimin, për ndalimin e tregtimit të rrymës me kompanitë nga Serbia, përkatësisht blerjen, raporton Ekonomia Online.

Kabineti qeveritar votoi pro këtij propozimi.

Në fillim të mbledhjes, Kurti tha se kjo masë vjen si përgjigje ndaj bllokimit të linjave ndërkufitare për tregtim të energjisë nga ana e Serbisë.

“Së pari, do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe, si masë e parë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim, e cila mund të përshkallëzohet në të ardhmen, nëse nuk ka reflektim. Gjithashtu, për t’u përballur me vështirësitë e sektorit të energjisë që vijnë nga bllokimi i këtyre linjave të interkonneksionit 400 kilovolt dhe faktorë të tjerë të brendshëm e të jashtëm, sot po i vendosim KEK-ut obligimin publik për të siguruar një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor, si dhe po vendosim masa emergjente në energji, që përfshijnë obligimin e Ibër-Lepencit për ta shitur energjinë për furnizimin e shërbimit public”, ka thënë ai.

Në mbledhjen e Qeverisë janë miratuar edhe dy vendime të tjera që lidhen me sektorin e energjisë elektrike. Bëhet fjalë për Propozim-vendimin për shpalljen e masave emergjente për furnizimin me energji, si dhe Propozim-vendimin për vendosjen e obligimit të shërbimit publik ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit. Këto tri vendime janë pjesë e masave të Qeverisë për përballimin e sfidave në sektorin e energjisë elektrike dhe sigurimin e furnizimit me energji në vend.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se bllokimi i dy linjave të interkonjeksionit 400 kilovolt nga Serbia nuk e pengon Kosovën të blejë energji elektrike nga ky shtet, por pamundëson shfrytëzimin e kësaj infrastrukture për tranzitin e energjisë nga shtetet e tjera.

“Bllokimi i linjave nga ana e Serbisë nuk na pengon sepse duam të blejmë energji nga Serbia, mirëpo e pamundëson shfrytëzimin e kësaj infrastrukture kritike për të sjellë energjinë tranzit nga shtetet tjera. Pra dy linjat të interkonjeksionit 400 kilovolshe të cilat i ka bllokuar Serbia neve nuk na duhen të hapura në mënyrë që të importojmë prej saj, por, në mënyrë që ato të shfrytëzohen për tranzit, për qarkullimin e lirë të energjisë elektrike, e cila me bllokimin e Sërbisë e ka fituar një mur në vend të telave të shpërndarjes. E si rezultat i këtij bllokimi të Serbisë përgjatë viteve ka pasur ditë kur mbingarkesa në linjat me shtetet tjera, veçanërisht me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut kanë shkaktuar rritje marramendëse çmimesh, saqë me 14 dhe 20 janar të këtij viti ishte pamundësuar sigurimi i energjisë së mjaftueshme, duke e detyruar KOSTT-in të aplikojë reduktime në furnizim me energji elektrike. Që nga marrja e detyrës në mandatin e mëhershëm, në mars të vitit 2021, kemi bërë çdo përpjekje që të sigurojmë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për të ushtruar presion ndaj Serbisë për t’i liruar linjat. Përfundimisht, në dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave i Komunitetit të Energjisë ka vërtetuar shkeljen e traktatit të komunitetit nga Serbia dhe e ka detyruar atë të lirojë linjat më së largu deri më 1 korrik 2026”, tha Kurti.

Ai ka theksuar se, ndonëse afati i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave i Komunitetit të Energjisë ka kaluar, Serbia nuk i ka liruar linjat. Sipas tij, Qeveria ka tentuar që përmes Bashkimit Evropian të gjendet një zgjidhje, por pasi kjo përpjekje nuk ka sjellë rezultate, ka vendosur të ndërmarrë kundërmasa ligjore.

“Deri më 1 korrik 2026, e tash që po flasim, është 16 nëntor 2026. Pasi as kjo nuk ka ndodhur. Janë bërë 4 muaj e gjysmë që nuk është zbatuar ky vendim i Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, ne e kemi bërë edhe një përpjekje tjetër, që përmes Bashkimit Evropian të kemi një zgjidhje të kësaj çështjeje. Duke parë që as kjo përpjekje nuk ka sjellur rezultate, ne sot po ndërmarrim kundërmasa ligjore për të ndaluar tregtimin e energjisë elektrike me ndërmarrje të regjistruara në Serbi ose që kanë pronarë me shtetësi të Serbisë. Në këtë fazë, përjashtim do të bëhet për furnizuesin e themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për energji. Megjithatë, Ministria e Ekonomisë obligohet që ta përcjellë situatën dhe, nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e autoriteteve të Beogradit zyrtar, në të ardhmen do të konsiderojmë përshkallëzimin e masave, duke përfshirë edhe masa që do të mund të prekin edhe këtë furnizues, si dhe rishqyrtimin e tërësishëm të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit për energji”, shtoi Kurti.

Ndërkaq, zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Fatban Bunjaku, ka paraqitur arsyetimin e propozim-vendimit, duke thënë se pengesat nga Serbia janë të pranishme që nga dhjetori i vitit 2020, kur KOSTT-i filloi operimin si zonë e veçantë kontrolli.

“Kjo sfidë është e pranishme që nga dhjetori i vitit 2020, kur KOSTT-i kishte filluar operimin si zonë e veçantë kontrolli. Që nga ajo kohë, Serbia, përmes operatorit të sistemit të transmetimit të saj, EMS, vazhdon të pengojë përcaktimin dhe alokimin e kapaciteteve ndërkufitare me Kosovën, duke pamundësuar shfrytëzimin komercial të interkoneksioneve. Si rezultat, mbeten të pashfrytëzuara kapacitete transmetuese deri në 600 megavat, duke kufizuar tregtinë ndërkufitare të energjisë elektrike dhe duke rritur presionin mbi kapacitetet e importit nga vendet tjera fqinje. Këtë çështje, institucionet publike të Kosovës, përkatësisht KOSTT-i, e kishin adresuar që në shkurt të vitit 2021 pranë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë. Ankesa e paraqitur nga Kosova u konfirmua si e bazuar nga Këshilli Ministror përmes vendimit 202502MC-ENC të datës 18 dhjetor 2025, me të cilin u konstatua se Serbia kishte shkelur detyrimet që rrjedhin nga ankthi i Komunitetit të Energjisë dhe nenet 6, 10 dhe 11 të traktatit. Për më tepër, përmes këtij vendimi, Këshilli Ministror kishte kërkuar nga Serbia korrigjimin e menjëhershëm të shkeljes, duke paraparë gjithashtu inicimin e procedurës sipas nenit 92 të traktatit, në rast se shkelja nuk korrigjohej deri më 1 korrik 2026”, tha Bunjaku.

Bunjaku ka thënë se Serbia nuk i ka ndërmarrë masat e nevojshme korrigjuese dhe se pengesat vazhdojnë. Ai ka përmendur edhe raportet e Komisionit Evropian për vitin 2026, në të cilat, sipas tij, evidentohet ndikimi i mosalokimit të kapaciteteve ndërkufitare në sigurinë e furnizimit, konkurrencën dhe çmimet e importit të energjisë elektrike.

“Serbia nuk i ka ndërmarrë masat e nevojshme korrigjuese dhe pengesat vazhdojnë të jenë të pranishme. Kjo çështje është evidentuar edhe në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën të vitit 2026, ku theksohet se mosalokimi i kapaciteteve ndërkufitare ndikon negativisht në sigurinë e furnizimit, konkurrencën dhe çmimet e importit të energjisë elektrike. Në të njëjtin raport, Komisioni Evropian për Serbinë për vitin 2026 evidenton se operatori serb i sistemit të transmetimit, EMS, ende nuk ka alokuar kapacitete për tregtimin e energjisë elektrike me të gjitha interkoneksionet, përfshirë ato me Kosovën. Prandaj, nga sa më lart, duke marrë parasysh situatën e krijuar, bllokimet e vazhdueshme dhe mosndërmarrjen e masave të nevojshme dhe korrigjuese nga Serbia, MINT, në mbështetje të nenit 92, paragrafi 4, dhe nenit 93, paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 7, paragrafi 3 të ligjit numër 08/L-021 për tregti me jashtë, si dhe ligjeve dhe rregulloreve të tjera përkatëse, propozon sot miratimin e vendimit për vendosjen e kundërmasave ndaj ndërmarrjeve të identifikuara me origjinë nga Serbia. Këto kundërmasa përfshijnë ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrje të identifikuara me origjinë nga Serbia përkatësisht blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike, qoftë drejtpërdrejt apo përmes transitit ose rishitjes”, nënvizoi Bunjaku.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi