Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova ndan dhimbjen dhe pikëllimin me popullin turk dhe udhëheqjen e Republikës së Türkiye-s për mijëra jetët e humbura tragjikisht në tërmetin shkatërrues.
Qeveria e Kosovës ka ndarë sot 500 mijë euro ndihma për familjet e prekura nga tërmeti shkatërrues i shkurtit të këtij viti që goditi Türkiye-n.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e Qeverisë tha se Kosova ndan dhimbjen dhe pikëllimin me popullin turk dhe udhëheqjen e Republikës së Türkiye-s për mijëra jetët e humbura tragjikisht në tërmetin shkatërrues.
“Ne rikonfirmojmë solidaritetin, ndihmën dhe mbështetjen tonë të parezervë dhe për këtë propozojmë ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 500 mijë euro për mbështetje financiare për familjet e prekura nga tërmeti në Türkiye”, tha Kurti.
Ministri i Financave, Punës dhe Transferit i Kosovës, Hekuran Murati tha se kjo ndihmë është e dedikuar për qytetarët e Türkiye-s në procesin e rindërtimit pas tërmetit.
Ai ka theksuar se këto mjete janë paraparë në takimin e donatorëve në Bruksel për të ndihmuar Türkiye-n, por për shkak të pamundësisë së Kosovës për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë me vendet e tjera në atë takim, është vendosur që ndihma të ndahet në mënyrë bilaterale ndërmjet dy qeverive.
Më shumë se 50 mijë njerëz humbën jetën dhe mbi 100 mijë u plagosën në dy tërmete të fuqishme që goditën Türkiye-n jugore dhe Sirinë më 6 shkurt. Mijëra ndërtesa u shkatërruan vetëm në Kahramanmaras, ku ishte epiqendra e tërmetit, dhjetëra mijëra ndërtesa u rrënuan ose duhet të rrënohen për shkak të dëmtimeve të tërmetit.















