Qeveria e Gazës: Palestinezët që përballen me urinë vendosen nën shënjestrën e snajperëve izraelitë

– Zyra qeveritare për media në Rripin e Gazës tha se ushtria izraelite hap qëllimisht zjarr me municione të vërteta mbi palestinezët që përpiqen të marrin ushqim nga qendrat e ndihmës SHBA-Izrael

Zyra qeveritare për media në Rripin e Gazës tha se ushtria izraelite hap qëllimisht zjarr me municione të vërteta mbi palestinezët që përpiqen të marrin ushqim nga qendrat e ndihmës SHBA-Izrael, raporton Anadolu.

Drejtori i zyrës qeveritare për media, Ismail al-Sawabite në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se civilët që janë në prag të urisë ditët e fundit, janë shënjestruar në zonat e ndihmës të përshkruara si “kurthe vdekjeje”.

“Të plagosurit që kanë mbërritur në spitale kanë plagë të përqendruara në zona jetësore si koka, gjoksi dhe gjymtyrët e sipërme. Kjo tregon qartë se snajperët qëllojnë në mënyrë të qëllimshme me municione të vërteta”, tha Al-Sawabite.

Ai tërhoqi vëmendjen se ekipet mjekësore kanë indentifikuar shumë gjymtyrë të humbura dhe dëmtime serioze të indeve midis të plagosurve. Al-Sawabite tha se ushtria izraelite përdor municione me efekt shpërthyes dhe plumba të ndaluar nga marrëveshjet ndërkombëtare.

“Shumica e plagosjeve janë kryer duke u shënjestruar në mënyrë të drejtpërdrejt. Shumica e viktimave u qëlluan ndërsa përpiqeshin të shpëtonin nga zonat e shpërndarjes së ndihmës. Kjo tregon se shënjestrimi nuk ishte i rastësishëm, por i qëllimshëm”, thotë ai.

Më 27 maj, Izraeli filloi shpërndarjen e ndihmës së kufizuar përmes të ashtuquajturit “Fondacioni Humanitar i Gazës”, i cili mbështetet nga SHBA-ja dhe Izraeli, por është refuzuar nga OKB-ja, pa miratimin e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe organizatave ndërkombëtare të ndihmës.

Zyra për media e qeverisë së Gazës raportoi më 24 qershor se të paktën 516 persona janë vrarë ndërsa 3.799 të tjerë janë plagosur në këto zona të shpërndarjes së ndihmës që kur mekanizmi u aktivizua.

Kategoritë
BotaLajme