Forcat izraelite morën nën kontroll barkën “Madleen” rreth orës 3 të mëngjesit, e cila po përpiqej të çante bllokadën detare të Rripit të Gazës për të dërguar ndihma humanitare për popullatën palestineze.
Në bord ndodheshin 12 aktivistë, përfshirë aktivisten suedeze Greta Thunberg.
Koalicioni “Freedom Flotilla” konfirmoi se i gjithë ekuipazhi është ndaluar nga ushtria izraelite.
Në një video të publikuar nga lëvizja “Gaza Freedom Flotilla”, shihet mjeku dhe aktivisti francez Baptiste Andrea, i cili shprehet se është rrëmbyer dhe i bën apel opinionit publik që të ushtrojë presion ndaj qeverisë franceze për lirimin e tij.
“Qeveria franceze duhet të mbrojë qytetarin e saj Baptiste Andrea, i cili është rrëmbyer nga ushtria izraelite. Ata janë civilë të paarmatosur në një barkë që transportonte ndihma humanitare – formulë për foshnja, barna dhe pajisje mjekësore për popullatën e rrethuar të Gazës. Ata nuk përbënin asnjë kërcënim dhe vepronin plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare detare, humanitare dhe të drejtat e njeriut,” – thuhet në deklaratë.
Bashkë me videon, janë shpërndarë kontaktet e qeverisë franceze dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropës për të nxitur qytetarët që të reagojnë.
Deklarata e Izraelit
Nga ana tjetër, ministri izraelit i mbrojtjes Israel Katz përshëndeti IDF-në për marrjen nën kontroll të flotilës dhe ndalimin e saj.
“U kam urdhëruar ushtarëve të IDF-së që t’u tregojnë pasagjerëve të flotilës pamjet e masakrës së 7 tetorit kur të arrijnë në port. Është e përshtatshme që Greta – antisemitja – dhe kolegët e saj që përkrahin Hamasin, të shohin se kë kanë ardhur të mbështesin, çfarë ka bërë kjo organizatë terroriste ndaj grave, të moshuarve dhe fëmijëve – dhe pse Izraeli po lufton për t’i mbrojtur këta njerëz,” – deklaroi Katz.