Në finalen e Ligës së Kampionëve të zhvilluar në Allianz Arena në Mynih, PSG e shkatërroi Interin me rezultatin 5:0 dhe për herë të parë në histori u shpall kampion i Evropës.
Kjo fitore shënon një pikë kthese për PSG-në, që pas viteve të investimeve dhe dështimeve të mëparshme, më në fund arriti të fitojë trofeun më prestigjioz evropian për klube. Për Interin, kjo ishte një humbje e rëndë, duke qenë se është disfata e katërt në një finale të Ligës së Kampionëve dhe këtë sezon kanë mbetur pa asnjë trofe.
Gjithashtu, PSG u bë vetëm klubi i dytë francez që fiton Ligën e Kampionëve, pas Marseille-it që kishte arritur këtë sukses në vitin 1993, gjithashtu në Mynih, duke mposhtur Milanin 1:0.
PSG dominoi që në fillim të ndeshjes dhe në minutën e 12-të, Achraf Hakimi shënoi golin e parë pas një pasimi të saktë nga Désiré Doué, duke përfituar nga reagimi i dobët i mbrojtjes së Interit.
Tetë minuta më vonë, Doué shënoi edhe vetë. Gjuajti nga distanca, topi preku Federicon Dimarcan dhe mashtroi portierin Yann Sommer për epërsinë 2:0.
Në pjesën e dytë, PSG vazhdoi me presion dhe krijoi shumë raste para portës së Interit. Në minutën e 64-t, Doué realizoi golin e tij të dytë në ndeshje, pas asistimit të Vitinhes, duke i dhënë fund çdo dileme rreth fituesit.
Por kjo nuk ishte e gjitha, sepse në minutën e 73-të, Khvicha Kvaratskhelia e çoi rezultatin në 4:0 pas një pasimi të shkëlqyer nga Ousmane Dembele, ndërsa i riu Senny Mayulu në minutën e 87 vulosi fitoren e thellë të ekipit të tij me rezultatin 5:0.
Për trajnerin e PSG-së, Luis Enrique, ky është trofeu i dytë në Ligën e Kampionëve, pasi më parë ishte shpallur kampion i Evropës me Barcelonën në vitin 2015.