Ekipi i Shtëpisë së Bardhë i kishte këshilluar palës ukrainase se bisedimet me presidentin amerikan Donald Trump mund të kalonin më mirë nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të kishte veshur një kostum gjatë takimit të së premtes në Shtëpinë e Bardhë.
Zelensky, i cili u zgjodh president i Ukrainës në vitin 2019, më parë vishte rregullisht kostume, në përputhje me traditat dhe protokollin. Megjithatë, pas pushtimit rus, ai deklaroi se nuk do të kthehej te kostumi derisa të përfundonte lufta në Ukrainë.
Korrespondenti amerikan i Sky News, Mark Stone, tha në podcastin Trump 100 se respektimi i kodit të veshjes mund të jetë i rëndësishëm për Trumpin. Për më tepër, një kostum mund të jepte sinjalin se Zelensky beson se lufta e nisur nga Rusia po i afrohet fundit, shtoi Stone.
As Churchill nuk ka veshur kostum
Megjithatë, gazetari i Sky News, James Matthews, thekson se veshja e Zelenskyt – pantallona dhe një bluzë apo një bluzë sportive – ka një domethënie të madhe: për botën është një sinjal që vendi i tij është ende në luftë, por edhe një shprehje solidariteti me forcat e armatosura dhe ata që luftojnë në vijën e parë të frontit.
Në mënyrë paradoksale, Zelensky nuk është lideri i parë botëror që nuk ka veshur kostum gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë – e njëjta gjë ka ndodhur me kryeministrin britanik Winston Churchill, të cilin Trump e quan një nga figurat e tij të frymëzimit.
Gjatë takimit me presidentin amerikan Franklin D. Roosevelt në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë në vitin 1943, Churchill kishte veshur një uniformë të thjeshtë ushtarake – me sa duket në përpjekje për të bindur publikun amerikan që SHBA të përfshihej në luftë.
Sky News gjithashtu vuri në dukje ironinë e fatit, duke theksuar se busti i Churchill-it “po vështronte” nga lart bisedën e tensionuar mes Trumpit dhe Zelenskyt të premten.
Veshja e Musk nuk përbën problem
Ndërkohë, televizioni britanik vëren se në Shtëpinë e Bardhë një kostum nuk është domosdoshmëri as për aleatët e afërt të Trumpit, si miliarderi Elon Musk. Gjatë vizitës së tij të fundit në Zyrën Ovale, Musk ishte veshur në mënyrë joformale – me një xhaketë, kapele dhe bluzë.
Trump e komentoi veshjen e Zelenskyt që gjatë pritjes para Shtëpisë së Bardhë. Sipas mediave, ai e shprehu këtë me një ton përçmues. Më vonë, një nga pyetjet e gazetarëve në Zyrën Ovale ishte nëse Zelensky zotëronte fare një kostum, duke qenë se nuk e kishte veshur asnjëherë.
Afërsia mes Trumpit dhe Putinit po shkakton shqetësim në Ukrainë dhe Evropë
Ukraina dhe Evropa po ndjekin me shqetësim afrimin mes Donald Trumpit dhe presidentit rus Vladimir Putin, të cilët më 12 shkurt zhvilluan një bisedë të gjatë telefonike, pas së cilës ekipet e tyre nisën negociatat për përfundimin e luftës.
Trump vazhdon të deklarojë se ka besim te presidenti rus – pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga Londra dhe Parisi për rrezikun e një armëpushimi të brishtë, nëse ai nuk shoqërohet me një sistem të fortë mbikëqyrjeje dhe garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara.
Të enjten, Trump tha se është i bindur se Putin do të “mbajë fjalën” për armëpushimin. Në të njëjtën kohë, ai refuzon të fajësojë Moskën për luftën dhe kundërshton me vendosmëri anëtarësimin e Ukrainës në NATO.