“Prokuroria Speciale edhe gjatë vitit 2023 u ballafaqua me raste ku të dyshuar ishin zyrtarë të lartë shtetërorë”

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha se PSRK-ja u përball me lloje të ndryshme të kriminalitetit, por, sipas tij, tregoi gatishmëri, profesionalizëm dhe përkushtim në punë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka mbajtur konferencën e fundvitit, ku ka shpalosur punën e saj gjatë vitit 2023, raporton Anadolu.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha se PSRK-ja edhe gjatë vitit 2023 është ballafaquar me raste kur të dyshuar ishin zyrtarë të lartë shtetërorë e të cilët u hetuan në mënyrë profesionale.

Isufaj tha se PSRK-ja u përball me lloje të ndryshme të kriminalitetit, por, sipas tij, tregoi gatishmëri, profesionalizëm dhe përkushtim në punë.

“Gjatë vitit 2023, PSRK ka regjistruar gjithsej 306 lëndë, nga lëndët e pranuara për secilin departament me shpërndarje si në vijim: Departamenti për Krim të organizuar dhe krime të tjera nën kompetencën e PSRK-së me 37 lëndë; Departamenti për korrupsion dhe krim financiar me 172 lëndë; Departamenti për krime lufte 46 lëndë; dhe departamenti për terrorizëm 51 lëndë”, theksoi Isufaj, duke shtuar se gjatë vitit 2023, PSRK-ja ka zgjidhur 239 lëndë gjithsej.

I pyetur nga gazetarët për çështjen e mosngritjes së aktakuzës ndaj organizatorit të sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator, Milan Radojiçiq, i cili e ka pranuar se qëndronte prapa këtij organizimi, kryeprokurori Isufaj tha se kjo është çështje e prokurorisë.

Isufaj tha se në këtë çështje nuk duhet të përzihen personat jokompetentë dhe se në momentin që bëhet hetimi dhe sigurohen provat do të ngrihet aktakuza.

“Sa i përket çështjes së tërheqjes së urdhërarrestit për Radojiçiqin, ajo është çështje komplet e brendshme e prokurorisë dhe të jeni të sigurt se ne nuk mund të ndajmë shumë detaje për opinionin për rastet që ne i trajtojmë. Duhet ta dinë qytetarët e Kosovës, ai nuk ka qenë kurrë në paraburgim, është tërhequr për një kohë urdhërarresti i cili në ndërkohë iu ka rikthyer”, theksoi Isufaj.

Isufaj tha se gjatë vitit 2023, Prokuroria Speciale ka sekuestruar mbi 41 milionë euro pasuri të rrjedhur nga aktiviteti kriminal.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi